Bashkëkryetari i LZHK-së, njëkohësisht pjesë e drejtuesve të koalicionit ‘Djathtas për Zhvillim’, z. Ekrem Spahiu, është shprehur se kryeministri Edi Rama duhet të largohet me patjetër nga pushteti në 11 maj.
Komentet Spahiu i bëri në ‘Ditari i Fundjavës’ me gazetarin Erion Dushi në A2 CNN, ku tha se koha ka treguar që edhe perandoritë dhe diktaturat më të forta bien një ditë. Sipas tij, edhe qeverisë Rama do i vijë fundi, pavarësisht sesa e brishtë është demokracia në Shqipëri në këtë moment.
Spahiu tha gjithashtu se gjatë takimeve elektorale të koalicionit Djathtas për Zhvillim, ata kanë hasur në trishtimin e moshave të treta, për shkak të pensioneve të ulëta që ata marrin dhe vetmisë që i ka kapluar, pasi fëmijët u janë larguar jashtë vendit.
Po ashtu, Spahiu premtoi se koalicioni ‘Djathtas për Zhvillim’ do të bëjë gjithçka për të ndikuar në qeverinë e ardhshme për rritjen e pensioneve minimale deri në 300 mijë lekë të vjetra.
“Nga 2013 deri sot është në pushtet Edi Rama. Mandati i tretë i tij është absolutisht i tepërt. Nuk mund të qëndroja duke e parë nga ekrani realitetin dhe gjëja më normale është reagimi. Unë u riktheva te LZHK si bashkëkryetar, në të njëjtin format si në 2005. Problematikat që ka Shqipëria dhe shqiptarët sigurisht që zgjidhen duke qenë në pushtet, por edhe duke qenë në opozitë. Ne jemi mësuar ta administrojmë të keqen për 45 vite.
Nuk ndoshta nuk dimë të administrojmë të mirën, por të keqen po. Ka qenë diktatura më e egër në Europën Juglindore dhe erdhi një ditë që diktatura ra. Erdhi një ditë që ai sistem ra. Koha ka treguar që bien perandoritë, bien diktaturat, jo më të mos bjerë PS, sado e brishtë që është demokracia. Ne kemi ndjekur një mënyrë tjetër në fushatë, sepse populli është në situatë tejet të vështirë.
Gjatë takimeve tona ne kemi hasur trishtimin e moshave të treta, sepse ato janë në mjerim të plotë sa i përket pensioneve. Ndjejnë dhimbjen e vetmisë, sepse fëmijët u janë larguar jashtë vendit. Koalicioni Djathtas për Zhvillim ka një program konkret për rritjen e pensioneve minimale në 300 mijë lekë të vjetra në muaj”, tha mes të tjerash Spahiu. (A2 Televizion)