Rama: Humbëm një gjyq 500 mijë euro në Apel, por do të mbështesim SPAK

Nga A2 CNN
26 Maj 2025, 19:36 | Politikë

Rama: Humbëm një gjyq 500 mijë euro në Apel, por do të

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se shteti shqiptar ka humbur një gjyq në Apel dhe është urdhëruar nga Gjykata të paguajë 500 mijë euro për një aksident automobilistik të ndodhur tetë vite më parë, edhe pse në ngjarje nuk pati të vdekur apo të plagosur.

Në fjalimin e fitores së Partisë Socialiste, Rama tha se kjo është një nga pasojat e drejtësisë që, sipas tij, vepron në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar nga politika, por që shpeshherë prodhon vendime të papritura.

“Ne nuk japim dot drejtësi për shumë shqiptarë që enden për drejtësi. Kemi humbur një gjyq në Apel ku i kërkohet shtetit të paguajë 500 mijë euro për një përplasje me makinë 8 vite më parë, ku nuk ka pasur as të vdekur e të plagosur, por shoferi me shoferen kanë pasur vizionin të hedhin shtetin në gjyq për rrezikun e jetës. Vendimi është marr brenda një dite dhe shteti është goditur me 500 mijë euro. As për shtetin ne nuk i korrigjojmë dot gafat që ndodhin në sallat e gjyqeve. Ne nuk kemi në dorë fatin e askujt prapa dyerve të pushteti gjyqësor”, u shpreh Rama. 

Kryeministri theksoi se qeveria nuk ndikon në vendimmarrjen gjyqësore, por ka për detyrë të jetë shembull në respektimin e ligjit dhe mburojë e pavarësisë së drejtësisë, duke përmendur në veçanti mbështetjen pa ekuivok për SPAK.

“Ne nuk kemi në dorë fatin e askujt prapa dyerve të pushteti gjyqësor. Por ne kemi në dorë që të udhëheqim me forcën e shembullit të jemi sa më të drejtë ne dhe të jemi mburojë e pathyeshme e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë duke nisur nga SPAK që do të vijojmë që ta mbështesim pa ekuivok”, theksoi ai.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos