
Kosova rikthehet në fushë të shtunën, në një sfidë me shumë rëndësi për objektivat e saj në Ligën e Kombeve. Dardanët presin Izraelin në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, në duelin e vlefshëm për Grupin B3.
Skuadra e drejtuar nga Franco Foda kërkon të shfrytëzojë faktorin fushë për të marrë një rezultat pozitiv dhe për të mbajtur gjallë ambiciet në grup, shkruan A2 CNN. Përballë do të jetë një Izrael që gjithashtu kërkon pikë, ndaj pritet një përballje e fortë dhe me shumë rivalitet.
Dy përfaqësueset janë përballur edhe më parë. Në ndeshjen e fundit, të luajtur në tetor, barazuan pa gola, ndërsa në Prishtinë kujtohet fitorja 1-0 e Kosovës në nëntor 2023, me golin e Milot Rashicës.
Këtë herë, me mbështetjen e tifozëve në shtëpi, dardanët synojnë të bëjnë një tjetër hap të rëndësishëm në këtë edicion të Ligës së Kombeve. Aktualisht, ekipi i Franco Fodës, renditet i treti në Grupin B3 me 5 pikë, po aq sa Irlanda, ndërsa Austria kryeson me 8. Fitorja është objektivi i vetëm për të mbajtur gjallë shpresat për vendin e parë. (A2 Televizion)