
Paul Bernardoni është aktualisht futbollisti më i paguar në kampionatin shqiptar. Portieri francez i Teutës përfiton plot 20 mijë euro në muaj, sipas raportimeve të fundit, duke vendosur një standard të ri për pagat në futbollin shqiptar.
Por Bernardoni kryeson edhe një tjetër klasifikim: atë të vlerës së kartonit. Sipas Transfermarkt, 29-vjeçari vlerësohet me 1 milion euro, duke qenë lojtari më i shtrenjtë i Superiores, shkruan A2 CNN.
I gjatë 1 metër e 93 centimetra, gardiani francez ka një karrierë të pasur, me eksperienca në klube si Bordo, Sen-Etien, Anzhe dhe Nim. dhe Konyaspor. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e Francës U-23 në Lojërat Olimpike të Tokios.
Teuta e afroi në verën e këtij viti dhe Bernardoni është kthyer menjëherë në një pikë referimi për skuadrën durrsake. Në 11 javët e para të kampionatit ka pësuar vetëm 5 gola, duke konfirmuar rëndësinë e tij mes shtyllave.
Një investim i madh për Teutën, por edhe një nga emrat më të bujshëm të futbollit shqiptar këtë sezon. (A2 Televizion)