Kryeministri Edi Rama, në takimin me emigrantët shqiptarë në Milano, tha se vota e shqiptarëve nuk duhet të ndikohet nga ndasitë politike, por duhet të unifikohet në drejtim të Partisë Socialiste.
Sipas tij, kjo gjë duhet bërë me qëllim uljen e Shqipërisë në “sofrën e Bashkimit Europian” brenda dekadës.
“Pikërisht tani, shqiptarët nuk duhet ta humbasin këtë shans që është një takim me historinë. Dhe nuk mund ta humbasim as për mustaqet e Kujtim Gjuzit, e as për hallin personal të “bufit të kënetës” që fshihet nën mustaqet e Kujtim Gjuzit.
Prandaj, sot është dita që çdo shqiptare e çdo shqiptar, çdo prind që jeton në Shqipëri, Itali apo gjetkë, dhe që do t’u lërë fëmijëve të vet diçka të madhe, diçka të jashtëzakonshme, diçka që juve ju ka munguar: një mundësi për ta bërë realitet ëndrrën e madhe, duke tejkaluar të gjitha ndasitë partiake, të gjitha llogoret dhe barrikadat, të gjitha hendekët dhe sherret, për ta bashkuar Shqipërinë e të gjithëve, të socialistëve dhe demokratëve, në sofrën e Bashkimit Europian”, tha Rama, shkruan A2.
“Sapo të vetëdijësohemi për fatin që na është dhënë, si një zog në dorë, aq më e sigurt është që me duart tona do t’i japim fund historisë së një populli të trajtuar si popull i dorës së dytë. Do t’i japim fund përçmimit dhe përjashtimit nga fati ynë europian dhe do t’u lëmë brezave tanë një vend të drejtë në Bashkimin Europian”, shtoi Rama.
(A2 Televizion)