
Kryeministri Edi Rama ka kapur çdo pushtet në vend dhe ka imponuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zv,kryeministren Belinda Balluku. Kështu u shpreh kreu demokrat Sali Berisha në mbledhjen e sotme të kryesisë së Partisë Demokratike, sipas të cilit kreu i qeverisë, ka përdorur mënyra antikushtetuese për të bllokuar parlamentin dhe sistemin e drejtësisë, duke mos lejuar shqyrtimin e kërkesave për heqjen e imunitetit ndaj personave me përgjegjësi.
“Ne mblidhemi sot në kushtet e një emergjence të vërtetë politike, emergjence të vërtetë natyrore, të gjithanshme. Siç del, Edi Rama ka hequr çdo maskë para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar. Ai de facto ka kryer një grusht shteti, duke marrë pushtetin e parlamentit, bllokuar funksionimin e parlamentit, detyrimin kushtetues të këtij institucioni për të shqyrtuar kërkesat e organeve të drejtësisë për heqjen e imunitetit dhe masa të tjera ndaj personave me imunitet. Edi Rama ka dëshmuar tashmë para të gjithë shqiptarëve se Belinda Balluku është ai, dhe se Belinda apo Lubia është thjesht një shërbëtore e verbër e tij”, u shpreh Berisha.
Sipas kreut demokrat, thekson se nuk ekziston precedent në historinë e Shqipërisë ku ekzekutivi të ketë penguar sistemin e drejtësisë në këtë mënyrë. Ai akuzon Gjykatën Kushtetuese për firmosjen e një vendimi që i shërben vetëm interesave të Kryeministrit dhe jo drejtësisë, duke e bërë këtë një “licencë për manipulim dhe falsifikim”.
“Në historinë e këtij shteti, 35 vitet e fundit, nuk ekziston asnjë rast i vetëm që të jenë refuzuar kërkesat e prokurorisë për heqjen e imunitetit. Me veprimet e tij, faktikisht ai po asgjëson totalisht këtë sistem në raport me shtetin dhe administratën. Gjykatën Kushtetuese, siç e patë, e kapi në mënyrë barbare. I imponoi gjykatës të marrë kompetencat kushtetuese të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë. Në asnjë germë, në asnjë nen të legjislacionit shqiptar nuk po parashikohet që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë masa sigurie para shqyrtimit të tyre nga sistemi i drejtësisë në tre shkallë. Në asnjë nen. Ky i imponoi gjykatës të marrë pushtetin e gjykatave të tjera në mënyrën më antikushtetuese. Gjykata Kushtetuese firmosi licencën për vjedhje, manipulime, falsifikime të tjera të Edi Ramës dhue Lubi Ballukut, ndërkohë që po shqyrton çështjen. Çfarë çështje do shqyrtojë? Do shqyrtojë çështjen që pezulloi. Ata e pezulluan masën e sigurimit. Çfarë fytyre kanë ata të marrin vendim tjetër përveç atij që kanë marrë? Pra, de facto, duke bllokuar parlamentin dhe duke u imponuar gjykatës një vendim që do nxijë në analet e drejtësisë shqiptare në të gjithë kohërat, Edi Rama ka marrë çdo pushtet dhe nuk pranon zbatimin e drejtësisë. Tregon se për atë nuk ka ligj, nuk ka Kushtetutë, nuk ka organe drejtësie”. (A2 Televizion)