Një mbledhje e shkurtër e Këshilli i Ministrave, e zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë konfirmoi ndryshimet e rëndësishme në kabinetin qeveritar. Mbledhja, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, zgjati më pak se 30 minuta dhe në të morën pjesë vetëm ministrat që kanë qenë pjesë e kabinetit ekzistues para ristrukturimit të fundit.
Gjatë mbledhjes u vu re mungesa e disa figurave kyçe, si Belinda Balluku, e cila është pezulluar dhe më pas shkarkuar nga detyra, si dhe Elisa Spiropali dhe Piro Vengu. Ata do të vijojnë funksionin e deputetit në radhët e Partisë Socialiste, shkruan A2 CNN.
Një ditë më parë, Rama njoftoi ndryshime të rëndësishme në kabinetin e formuar vetëm në shtatorin e vitit të kaluar, pas zgjedhjeve. Albana Koçiu u emërua zëvendëskryeministre, duke zëvendësuar Ballukun në postin e numrit dy të qeverisë. Ndërkohë, Toni Gogu është emëruar ministër i Drejtësisë, në një kohë kur qeveria ka paralajmëruar reforma të reja në politikën penale dhe marrëdhëniet me institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK.
Në poste të tjera të rëndësishme, Enea Karakaçi do të drejtojë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa Ferit Hoxha është emëruar ministër për Europën dhe Punët e Jashtme. Gjithashtu, Erjona Ismaili do të mbajë postin e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Emrat e rinj pritet t’i dërgohen për dekretim në Presidencë dhe më pas për miratim në Kuvend. Ndërkohë, kryeministri Rama ka paralajmëruar se ndryshimet mund të shtrihen edhe në strukturat e partisë gjatë muajve në vijim. (A2 Televizion)