Rama me socialistët e Durrësit: Si duhet t’i përgjigjeni atyre që ju thonë se nuk e futët Shqipërinë në BE për 12 vjet

Nga A2 CNN
21 Mars 2025, 09:39 | Politikë

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është sot vend pararojë për procesin e integrimit në Bashkimin Europian, ndërkohë që kur PS mori detyrën, askush nuk e përfillte Shqipërinë, shkruan A2 CNN.

“Ata duan të zgjerojnë Bashkimin Europian dhe mundësia është që të përfshihet në BE Shqipëria dhe Mali i Zi. Kjo për arsye gjeopolitike, patjetër, por për ne bëhet edhe një çështje ekzistenciale e sigurisë së Shqipërisë, në ndërkohë që raportet e tjera siç e shikoni, po ndryshojnë mes vendeve të tjera”, tha Rama në një takim me socialistët e Durrësit, në kuadër të përgatitjeve për fushatën zgjedhore.

Ai udhëzoi socialistët se si t’i përgjigjen atyre që i akuzojnë se “karta e integrimit” është çështje e pavlerë. “Ka njerëz që thonë se ky është muhabet kot, se po të ishit të zotë, do ta kishit futur Shqipërinë në BE, sepse keni pasur 12 vite kohë, etj. etj....”, tha Ram. “Dhe u duhet thënë që Mali i Zi i ka hapur negociatat në vitin 2012, ne i kemi hapur zyrtarisht dhe jemi ulur në tryezë për të filluar bisedimet konkrete vetëm vjet, pasi bëmë një vit procesin e “screening”, të diagnostikimit të organizmit të shtetit shqiptar për të gjitha kritikat. Sot ne jemi krah për krah me Malin e Zi, dy vendet që ata i shohin si më të mundshmet për t’u futur në BE. Serbia i ka nisur negociatat shumë më herët se ne. Kur ne kemi marrë detyrën, as na llogariste njeri se mund të ishim afër një momenti si ky”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos