
Kryeministri Edi Rama, në konferencën për shtyp me Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin në Bashkimin Europian, dhe Marie Bjerre, Ministre e Punëve të Jashtme të Danimarkës, e cila mban Presidencën e Këshillit të BE-së, deklaroi se vendi ynë do e përndjekë Bashkimin Europian derisa të bëhet pjesë e tij.
“Më mirë të na marrin sepse nëse nuk e bëjnë, do i përndjekim deri në fund. Nëse duan të na heqin qafe, duhet të na marrin me vete”, tha Rama, shkruan A2.
Kryeministri shtoi se Shqipëria ka qenë gjithmonë besnike e perandorive, por kësaj here jo nga imponimi, por nga zgjedhja e saj.
“Ajo çfarë Shqipëria e shqiptarët fitojnë nga ky proces është diçka që shkon përtej grukapitujve e vetë anëtarësimi formal. Shqiptarët fitojnë një vend që bazohet në institucione, që funksionon në bazë të shtetit të së drejtës, që funksionon në të gjitha parimet që i bëjnë vendet e BE-së kaq të admiruara. Viti i fundit ka qenë shpërblyes, por pa vitet që i paraprijnë, të cilat nuk ishin shpërblyese, ky nuk do të kishte ardhur. Të jesh skeptik nuk është gjë e keqe, por nuk duhet të na ndalë të punojmë çdo orë, çdo minutë për ta bërë realitet. Ne u jemi besnik perandorive, kjo është e para perandori me të cilën duam të jemi. Kjo shumicë është ndryshe jo vetëm në shifra, por në thelb ishim të gjithë kokë e këmbë pas osmanëve, sovjetikëve, por kokë e këmbë për shkak të imponimit, kurse kjo është me zgjedhje. Ja pse Maria e kuptoi pse nuk i shpëton dot Shqipërisë”, u shpreh Rama.
(A2 Televizion)

