
Kryeministri Edi Rama, në konferencën për shtyp me Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin në Bashkimin Europian, dhe Marie Bjerre, Ministre e Punëve të Jashtme të Danimarkës, e cila mban Presidencën e Këshillit të BE-së, theksoi se deri në vitin 2027 Shqipëria do të ketë mbyllur të gjithë grupkapitujt.
“Vetëm pak kohë më parë dukej e pamundur dhe ishim në pikën ku po mësoheshim me sprapsjet dhe grushtat në stomak, por unë besoj se ai rrugëtim na bëri më të fortë, më të vetëdijshëm për të gjithë atë natyrë të jashtëzakonshme të procesit dhe më të pjekur. Ja ku jemi sot këtu, me atë që ishte vetëm ëndërr pak më tepër se një vit më parë. Sot është transformuar tashmë në një plan pune, një realitet me të cilin do punojmë në jetën e përditshme. Pa fjalë formale, dua të falenderoj me zemër Marie (Bjerre) dhe Marta (Kos). Marie për transformimin e fjalëve të Presidencës daneze në vepra për zgjerimin, duke mbështetur dhe inkurajuar për të ecur përpara dhe Martën që është kampione e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Me zjarr dhe vullnet të fortë, që na bën të gjithë të ndihemi plot energji dhe në borxh nëse nuk realizojmë në kohën e duhur”, tha Rama, shkruan A2.
“Jam i frymëzuar nga këto muaj dhe nga mbështetja e fortë që procesi i zgjerimit dhe i ribashkimit të Evropës po merr. Do bëjmë gjithçka kemi në dorë për të ecur përpara me të njëjtin intensitet, disiplinë dhe punë të madhe për të dhënë rezultate që ky proces që po ndërtojmë gur pas guri të mos ndalet. Sot Shqipëria del me krenari nga kjo fazë e parë dhe madje me ndjenjë edhe më të madhe përgjegjësie. Ne nuk përfaqësojmë këtu parti politike, por një komb të tërë që mbështet si askush tjetër BE-në dhe anëtarësimin në BE më shumë sesa 90% e qytetarëve tanë. Jam i sigurt që ata shumë pak që janë në këtë përqindje të vogël që mbetet, thjesht nuk do të ketë qenë ditë e mirë kur është bërë sondazhi se vështirë të mendojë ndonjë shqiptar që anëtarësimi në BE nuk është ideja më e mirë dhe horizonti drejt të cilit duhet të synojmë për fëmijët tanë”, shtoi kreu i qeverisë shqiptare.
Ai theksoi se koha kur BE ishte “i ashpër” me Shqipërinë e ka bërë vendin më të fortë.
“Dua të shtoj se qoftë ajo mënyra e fortë dhe e butë me të cilën jemi përballur na ka mësuar: kurrë mos merr asnjë gjë të mirëqenë në Bruksel. Kur të buzëqeshin, shijoje. Por, mos e merr të mirëqenë. Mund t’ju zhduket nga fytyra sa hap e mbyll sytë. Kështu vazhdo, puno fort dhe përgjigju me përulësi dhe rezultate. Këto dy gjëra janë ato gjëra që këta vlerësojnë më shumë”, deklaroi Rama.
(A2 Televizion)
