Rama në krah të Costa-s: Nuk kemi asnjë problem që na ndan me BE-në, vetëm sfida që na bashkojnë

Nga A2 CNN
2 Qershor 2026, 12:58 | Politikë

Rama në krah të Costa-s: Nuk kemi asnjë problem që na ndan

“Në këtë rrugë nuk jemi vetëm, por kemi partner BE”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në konferencën për shtyp në krah të presidentit të Këshillit Europian Antonio Costa. Kreu  i qeverisë tha se ka dakordësi 100 përqind në të gjitha çështjet dhe nuk ka asnjë problem që i ndan por vetëm shqetësime që i bashkojnë.

“Ajo që e bën të vështirë, është se ne kemi dakordësi 100 përqind në të gjitha çështjet, për detyrat që do bëjmë, që të ecim me këtë ritëm dhe të fillojmë me mbylljen e kapitujve, që rajoni të funksionojë si kolektiv bashkëpunues dhe se këto janë më të lehta, por se në këtë rrugë nuk jemi vetëm, por kemi partner BE dhe kemi burim të jashtëzakonshëm dijesh siç është procesi i negociatave. Nuk kemi asnjë problem, shqetësim që na ndan, por vetëm shqetësime që na bashkojnë”, u shpreh Rama.

Ai e falënderoi presidentin i KiE, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë. Sipas tij pjesa më e rëndësishme e këtij procesit mbetet puna që duhet të bëjë vetë Shqipëria

“E falënderoj për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe mbështetjen e palodhur para se ne të realizonim mbylljen e fazës së çeljes së kapitujve me konferencën e pak ditëve më parë në një kohë kur të gjithë përballemi me shumë sfida që nuk janë sfidat tona, por të përbashkëta. Ndajmë plotësisht me presidentin bindjen se pjesa kryesore e punës mbetet puna jonë. Ne kemi detyra për të përmbushur, jo për hir të Brukselit, Berlini e Parisit por për përmirësimin e performancës së shtetit e institucioneve në Shqipëri”, u shpreh Rama.

Rama tha se në këtë fazë të negociatave fokusi kryesor është zbatimi i reformave dhe ligjeve të miratuara. Ai solli si shembull përvojën e Portugalisë, ku fermerët dhe prodhuesit e verës u përballën me vështirësi gjatë përshtatjes me standardet europiane, por që më pas përfituan rezultate të prekshme dhe zhvillim ekonomik.

“Në këtë fazë theksi kryesor është zbatimi i reformave që janë kryer me sukses apo ligjeve që do hyjnë në trupin e organizmit ligjor të Shqipërisë. Është proces me shumë sfida, presidenti na ka sugjeruar që të rrisim përpjekjet për të njohur publikun e gjerë me të gjitha këto sfida që shoqërojnë çdo hap që hedhim. Kemi folur për eksperiencën e Portugalisë, të fermerëve e prodhuesve të verës, për sfidat që ata patën për t’u adoptuar, sfida të shoqëruar me dhimbje po të pasuara nga suksese e rezultate shumë më të mira për fermat e prodhimet e tyre”, theksoi Rama.

Kryeministri Edi Rama mirëpriti sot për herë të pestë në Shqipëri presidentin e Këshilli Europian, Antonio Costa, të cilin e cilësoi një mik të çmuar të Shqipërisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos