Rama në OKB: Duhen vepra, jo vetëm fjalë! Jemi buzë një rreziku të jashtëzakonshëm, askush nuk është i sigurt

Nga A2 CNN
22 Shtator 2024, 19:00 | Politikë

Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje shteteve të botës të ndërmarrin më shumë veprime e të mos mjaftohen te fjalët, për të mirën e njerëzimit, që sipas tij, kërcënohet nga një rrezik i madh.

Nga selia e OKB, në Nju-Jork, ku mbajti fjalën në emër të Shqipërisë në Samitin për të Ardhmen, Rama kritikoi organizatën. “Duhet të kemi kurajën të pranojmë se së fundmi veprimet tona shumë shpesh kanë qenë larg pritshmërive të popujve që deklarojmë se u shërbejmë”, tha kryeministri, shkruan A2 CNN.

“Jemi buzë një rreziku të jashtëzakonshëm dhe askush nuk është i sigurt. Shqipëria mbështet plotësisht Paktin për të Ardhmen dhe të gjitha angazhimet e saj. Por ato nuk mjaftojnë. Fjalët duhet të transformohen në vepra”, shtoi Rama duke përmendur rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore, që ka nisur të diskutohet prej fillimit të luftës në Ukrainë.

Rama e mbylli fjalën e tij duke thënë se Shqipëria, pavarësisht se mund të jetë vend i vogël, i ka dhënë botës një shembuj shumë të mirë, si strehimi i hebrenjve gjatë Holokaustit, mikpritja e afganëve dhe veprat e shenjtores katolike Nënë Tereza. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos