Rama nga Brukseli: E trishtë që u desh Putini që BE-ja të ndërgjegjësohej për Ballkanin Perëndimor

Nga A2 CNN
15 Shkurt 2024, 09:33 | Politikë

Kryeministri Edi Rama tha se Bashkimi Europian po tregon me veprime konkrete se tashmë është më i përkushtuar për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në union, "falë" edhe agresionit rus në Ukrainë.

“Po shohim se BE është shumë më i vetëdijshëm në vepra e jo vetëm me fjalë, për rëndësinë strategjike që ka Ballkani Perëndimor për BE. Është e trishtë që duhej Vladimir Putini që të ndodhte kjo gjë. Besoj se ne tashmë duhet ta ruajmë këtë ritëm për të ecur me hapa të guximshëm, përpara e të mos presim për një agresion tjetër që të na kujtojë, e të kujtojë njerëzit në Bruksel se sa i rëndësishëm është Balllkani Perëndimor për BE-në”, tha Rama gjatë një konference për mediat në Bruksel, ku mori pjesë në Mbledhjen e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian.

Kryeministri shtoi se ka ardhur koha që BE-ja të kuptojë se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë vetëm mjaftueshëm të pjekura, por janë në një situatë ku meritojnë të përqafohen e të sillen më pranë. “Ajo çfarë po ndodh sot është shembull ekzemplar i asaj çfarë duhet të ndodhë më tej në nivele të tjera. Besoj fort që ajo që po ndodh sot këtu duhet të ndodhë në Parlamentin e BE-së, Komisionin Europian dhe Këshillin Europian”, tha Rama.

“Kjo është e vetmja rrugë për të qetësuar të gjithë shpirtrat dhe për të injektuar një energji mjaft konkrete, të prekshme e të dobishme në të gjitha vendet kandidate, lidhur me të ardhmen mjaft konkrete me të qenit pjesë e BE-së. Në të kundërt rrezikojmë t’i hyjmë një rruge që nuk mbaron kurrë të qëllimeve të mira, një mori premtimesh, por pa asnjë rezultat”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos