Kryeministri Edi Rama zhvilloi në një takim elektoral në qytetin e Maliqit, ku theksoi se Partia Socialiste është një forcë politike e pamposhtur, falë mbështetjes masive që gëzon nga gratë shqiptare. Ai përsërit se 56% e grave në Shqipëri mbështesin PS-në, ndërsa ironizoi votuesit meshkuj.
“Do të ndahen, disa në BE e disa në Kënetë. Si mund të shkohet në Kënetë? Hajde muhabet, hajde. Hajde çyryk hajde. PS nuk mundet dot, sepse Partinë Socialiste e mbështesin 56 përqind e grave. Më pak mbështetje kemi tek burrat, sepse gjysmat e burrave s’janë mirë. Mund të jetë në rregull ai me jetën e vet, por edhe pse PS bën rrugën, bulevardin, pranë duan Kënetën, se janë çyrykë. Ngrihen e thonë nuk jam çyryk. Gjysmën e trurit, burrat e kanë me ujë kënete. Imagjinoni sikur mos të kishit gratë ju burrat këtu në Maliq, do ishit pa rruar e pa larë, por shyqyr që keni gratë që ju mbajnë pastër. Gratë tona janë burrnesha, se të ishte për burrat, Shqipëria nuk i afrohej kurrë BE-së”, u shpreh Rama.
Rama përsëriti qëllimin e qeverisë për të çuar Shqipërinë drejt integrimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 dhe kritikoi kundërshtarët politikë.
“Njerëzit duhet të kuptojnë se çdo votë është një investim për të ardhmen e fëmijëve të tyre, për një Shqipëri me pasaportë europiane, që i jep mundësi studimi dhe punësimi kudo në BE,” tha ai.
Rama nuk kurseu batutat ndaj burrave të zonës, duke theksuar rolin thelbësor të grave në familje dhe në shoqëri. (A2 Televizion)