Me opozitën në sfond, që i binte tavolinave, kryeministri Edi Rama nga Foltorja e Kuvendit, i ftoi që të votonin draftin e rezolutës antikorrupsion, duke thënë se është e domosdoshme për të mbështetur anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Mesazhi i tij për kundërshtarët politikë që i kishte përballë, ishte i qartë: të votojnë draftin dhe të mos bojkotojnë nesër komisionin që do ngrihet menjëherë. Me këtë “këshillë” që ua dha, Rama u kujdes t’ua vinte në dukje se do të duhet që t’ia dëgjonin fjalën, jo sepse është më i zgjuar se ata, por sepse sipas tij, kjo opozitë ka marrë vendime dritëshkurtra, pasojat e së cilave tashmë po i vuajnë.
“Ashtu sic nuk u ndal reforma në drejtësi, as kjo nismë e re nuk ndalet, prandaj them votojeni sot dhe po nuk e gjetët këtë forcë, mos e bojkotoni nesër komisionin e posaçëm parlamentar, sa herë që ju kam thënë në këtë sallë, 10 vjet e kusur, mos e bëni këtë, mos bëni atë, këtë bëjeni, shikoni bëjeni këtë, ka dalë siç ju kam thënë jo siç keni bërë apo nuk keni bërë ju, dhe e dini pse? Jo se jam më i zgjuar apo më i zoti se ju, por sepse ju nuk keni dashur ta mësoni se vendimmarrjet me shikimin deri te hunda jote, rrugën që duket shumë e shkurtër ta bëjnë pafundësisht të gjatë dhe prandaj ne jemi këtu dhe ju aty, shëndet me mend në kokë, se keni shumë akoma për të parë”, tha Rama.
Duke iu përgjigjur akuzave se me anë të këtij drafti, mazhoranca synon kapjen e drejtësisë, Rama iu përgjigj duke iu thënë se nuk është një “luftë vulgare për pushtet, por për shtetbërje demokratike”. Kur kanë mbetur dhe pak muaj nga zgjedhjet e 2025, Rama ua bëri të qartë se përballë kanë një kundërshtar mjaft të fortë, i cili nuk është lodhur apo vetëkënaqur nga pushteti, madje opozitën zgjodhi ta zhbënte fare. Kryeministri tha se vetë PS-ja është opozita e vetme serioze e vetvetes.
“Ata që kujtojnë se me korrupsionin në një shtet të ri demokratik, është një luftë që bëhet duke i rënë kazanit të iki Lena se do vijë Prena, kjo nuk është një luftë për pushtet, por një luftë për një vend demokratik që shkojnë përtej Lena-Prenave dhe që ulin ndikimin e lartë të subjektivitetit njerëzor mbi çdo pjesë të mekanizmave kushtetuese, duke forcuar ligjin. Nisma që merr jetë me këtë rezolutë buron nga nevoja e thellimit të kësaj lufte dhe reflekton nivelin e rritur të sfidës së anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ne jemi të vetëdijshëm se korrupsioni në Shqipëri është një kancer i trashëguar, ja pse ne dhe jo dikush tjetër vijmë në këtë parlament me këtë nismë e cila dëshmon qartë se kjo forcë politike në qeveri jo vetëm që nuk ka asnjë vetëkënaqësi apo lodhje me pushtetin, por ka një fuqi të brendshme për ndryshimin e vendit që e bën të jetë opozita e vetme serioze e vetëvetes”, u shpreh Rama.
Miratimi i kësaj rezolute në parlament kërkon një shumicë të thjeshtë votash, çka do të thotë se mazhoranca mund ta miratojë lehtësisht vetëm me votat e saj. (A2 Televizion)