Kryeministri Edi Rama theksoi në takimin me drejtuesit e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, se ajo që ndodhi në Spitalin Onkologjik e bën qeverinë më të vetëdijshme për gjërat që duhen bërë akoma në sistemin shëndetësor.
“Jam këtu sot për të thënë që veprimtaria kriminale e atij grupi keqbërësish, njësoj si Tixhja, nuk e hedh dot poshtë përpjekjen tonë për ta shndërruar sistemin shëndetësor nga ngrehina ku e gjetëm në një sistem shërbimesh funksionale. Madje, kjo që ndodh na bën më të vetëdijshëm për gjërat që duhen bërë akoma”, tha Rama.
“Do të angazhojmë një grup menaxherësh të huaj për të asistuar drejtuesit e QSUT që të garantojmë sa më mirë edhe hapjen së shpejti të kapitullit të autonomisë spitalore që kjo qendër do duhet ta ketë dhe që kësaj qendre t’i japë fleksibilitetin për të shpërblyer profesionistët e vet sipas meritës, jo më me ato tavanet e njëjta”, shtoi Rama. (A2 Televizion)