Rama i bën jehonë aksit Thumanë-Kashar: Një rrugë që do i shërbejë zhvillimit

Nga A2 CNN
30 Qershor 2024, 08:45 | Politikë

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me një video nga aksi i përfunduar rrugor Thumanë-Kashar, i cili do të përurohet mbrëmjen e sotme.

Kreu i qeverisë e cilëson këtë aks, si shumë të rëndësishëm dhe që do t’i shërbejë më tej zhvillimit të turizmit.

“Me këtë fluturim mbi Thumanë-Kashar për të shijuar atë që është ndërtuar në tokë, një aks rrugor që na shërben të gjithëve dhe zhvillimit të mëtejshëm të turizmit duke qenë i aksesueshëm për të gjithë nga sot prej orës 19:00, ju uroj të diel të mbarë”, shkruan kryeministri.

Rruga Thumanë-Kashar është pjesë e Korridorit Blu dhe është një aks i rëndësishëm që lidh veriun me jugun. Një segment rrugor me gjatësi 21 km, hapja e të cilit do të lehtësojë ndjeshëm trafikun në këtë zonë. Shpejtësia e lëvizjes do të jetë 130 km/h dhe do të ofrojë kushte të larta sigurie.

Autostrada e re shtrihet në zonat urbane dhe gjysmë urbane të Thumanës, Fushë-Krujës, Rinasit dhe Vorës, duke i dhënë një frymëmarrje të shumëpritur qarkullimit në një pikë kritike.

Aksi përmbush të gjitha parametrat e sigurisë rrugore, me mbikalime, 11 ura, 12 nënkalime e kryqëzime, por edhe rrugë aksesi për qytetarët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos