Kryeministri Edi Rama publikoi këtë të shtunë shifrat e vizitorëve të huaj që kanë ardhur në Shqipëri nga janari deri në gusht të këtij viti.
Sipas Ramës, Shqipërinë e kanë vizituar 8,5 milionë të huaj deri në fund të gushtit, më shumë se çdo vit tjetër, sipas tij, shkruan A2 CNN.
Po ashtu, kryeministri shkruan se ka pasur një larmishmëri të shteteve nga kanë ardhur turistët.
“8,5 MILIONË vizitorë të huaj shijuan Shqipërinë nga janari deri në gusht të këtij viti, jo vetëm më të shumtë në numër krahasuar me çdo vit të mëparshëm, por edhe me një larmishmëri vendesh të origjinës, ku patjetër vijojnë të konsolidohen tregjet karakteristike, ama gjithmonë e më të shumtë janë edhe turistët nga vendet e largëta dhe jo tipike si Meksika, Brazili, Kanadaja, Zelanda e re dhe Australia, por edhe Azerbajxhani, Kina e Japonia, ku shifrat në rritje përkthehen edhe në një super-promovim për Shqipërinë, ndërsa viti turistik ende vijon me grupe të tëra që shijojnë atraksionet nga veriu në jug, nga alpet deri në sitet e kulturës, kalatë historike e qytetet UNESCO, pa harruar ushqimin fantastik që s’ka të krahasuar dhe mikpritjen shqiptare të hotelierëve që na bën krenarë”, shkruan Rama. (A2 Televizion)