“25 deputetë pro, 29 kundër, 65 abstenim, projektvendimi nuk miratohet”. Ky votim i seancës plenare që përmes abstenimit hodhi për të dytën herë poshtë vendimet e Gjykatës Kushtetuese duke i dhënë mbrojtje politike koleges Olta Xhaçka, nuk është pritur mirë nga ndërkombëtarët.
A2 CNN pyeti delegacionin e BE-së në Tiranë, si e shikon Brukseli qasjen e shumicës në Kuvend. Si rrallë herë, reagimi zyrtar përmbante një gjuhë të hapur, larg zhargonit diplomatik. Edhe me i ashpër është reagimi i selisë diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që vendimin e socialistëve e quan si shpërfillje të Gjykatës Kushtetuese.
“Ne kemi shprehur shqetësimet tona edhe në raportin e fundit mbi Sundimin e Ligjit në Shqipëri, lidhur me faktin që disa vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar nga Parlamenti, përfshirë edhe në lidhje me këtë çështje, ku vendimi i Gjykatës Kushtetuese daton më shumë se një vit e gjysmë më parë (janar 2023). Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit”, reagoi Delegacioni i BE, shkruan A2 CNN.
“Ambasada e SHBA ndan shqetësimin e Delegacionit të Bashkimit Europian lidhur me vendimin e Parlamentit të Shqipërisë për të shpërfillur një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Siç vërejti kohët e fundit Kryetarja e Parlamentit, marrja e hapave të nevojshme për vendimet e Gjykatës Kushtetuese është përgjegjësi qendrore e Parlamentit dhe është gjithashtu jetike për ndarjen e pushteteve”, reagoi ambasada e SHBA.
Ajo që ka zhgënjyer delegacionin e BE-së duket se nuk lidhet vetëm me votimin, por edhe me faktin se gjithçka ndodhi vetëm pak pasi kryeparlamentarja e re Elisa Spiropali ishte angazhuar publikisht për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa ambasada e SHBA shkon më tej duke kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Na inkurajoi fakti që Kryetarja e Parlamentit, gjatë hapjes së sesionit parlamentar javën e kaluar, theksoi siprioritet nevojën që Kuvendi të ndjekë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese. Ajo çka ndodhi dje nuk është një hap në drejtimin e duhur”, tha Delegacioni i BE.
“Qeveria dhe institucionet duhet të respektojnë rregullat, ligjet, vendimet e gjykatave dhe kushtetutën – të gjitha të cilatjanë aty për të siguruar që sistemi demokratik është i shëndetshëm dhe lulëzon”, tha ambasada e SHBA.
Për mandatin e deputetes Olta Xhacka, Gjykata Kushtetuese është shprehur me dy vendime ku ka sanksionuar se trupa e saj është e vetmja që mund të shqyrtojë themelin e çështjes, arsye për të cilën Kuvendi duhet t’ia dërgojë për gjykim.
Kryetarja Olta Zaçaj edhe publikisht deklaroi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese edhe për Kuvendin. Socialistët pretendojnë se Kushtetuta u jep të drejtën të mos pajtohen me këtë qasje, ndaj dhe për të zgjidhur konfliktin, do të kërkojnë një opinion nga Komisioni i Venecias. (A2 Televizion)