Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama priti përfundimin e numërimit të votave brenda vendit, për të bërë reagimin e parë pas fitores së thellë në zgjedhjet e 11 majit, ku PS deri më tani ka siguruar 83 mandate në Kuvend. Në një postim në rrjetet sociale kryesocialisti falënderon qytetarët për besimin dhe paralajmëron fjalimin e fitores që do të mbajë në orën 7 të pasdites në sheshin Skënderbej.
“Mirëmëngjes dhe duke ju rrëfyer se s’po i gjej dot fjalët për të shqiptuar sonte në 7 në Sheshin Skënderbej, ju falënderoj përgjunjësisht për besimin e patregueshëm e ju uroj një ditë të mbarë!”, shkruan Rama.
Aktualisht po numërohet vota e diasporës, ndërkohë që mbrëmjen e djeshme KQZ njoftoi mbylljen e numërimit të kutive të votimit në vend. PS siguroi mandatin e katërt me mbi 52% të votave dhe duke siguruar 83 mandate, ndërsa PD pësoi rënie në krahasim me zgjedhjet e kaluara, duke marrë 34% të votave, ose ndryshe 50 mandate, 9 më pak se në vitin 2021. (A2 Televizion)