
Partia Demokratike pësoi një disfatë të thellë në qarkun e Fierit, listën e të cilit ai e kryesonte si drejtues politik, por kjo nuk e ka ndalur Gazment Bardhin që të falënderoj votuesit e djathtë në të ashtëquajturin “hambar” votash e deputetësh për PS-në.
“Një falënderim zemre”, por me zemër të thyer është ky i Bardhit, siç vetë deputeti demokrat shkruan në rrjetin social Facebook.
“Pasi zgjedhjet e 11 Majit nuk ia dolën të shprehin vullnetin real të qytetarëve, dua të falenderoj me përulësi të gjithë ata demokratë dhe mbështetës të opozitës që i besuan votën Partisë Demokratike! Në qarkun e Fierit, ne ishim njerëzit e lirë përballë një bande ministrash dhe drejtorësh të korruptuar, që përdorën shtetin dhe krimin e organizuar për të ruajtur pushtetin! Ju falenderoj me zemër për qendresën dhe besimin! Një falenderim të veçantë për strukturat e Partisë Demokratike, komisionerët, vëzhguesit dhe numëruesit e palodhur!”, shkruan Bardhi.
Më tej, ai nënvizon se demokratët do të qëndrojnë “së bashku të panënshtruar sepse Shqipëria ka nevojë për njerëz të lirë”.
Kujtojmë se Partia Demokratike me 39.314 vota (25.45%), arrin të marrë vetëm 4 deputetë në qarkun e Fierit, përballë 12 të tillëve për Partinë Socialiste.
Ky qark nga demokratët do të çojë në Kuvendin e ri Gazment Bardhin, Luan Baçin, Saimir Korreshi dhe Brunilda Haxhian, e cila vjen nga radhët e aleatëve të tyre të Partisë së Lirisë. Nga lista e mbyllur e PD mandatin e ka humbur Eduart Sharka, i cili renditej i pesti. (A2 Televizion)