Kryeministri Edi Rama, me anë të një videoje në Facebook, shprehu solidaritet me të gjitha familjet që humbën shtëpitë nga zjarret e ditëve të fundit në vendin tonë.
“Tani që flasim, janë 207 shtëpi të dëmtuara, por në këtë numër hyjnë 40 familje të cilat faktikisht e kanë humbur plotësisht banesën. I siguroj të gjithë se ne po bëjmë inventarizimin e plotë të dëmeve dhe padiskutim që askush nuk do të mbetet pa e parë në krah qeverinë për t’u rikthyer në një shtëpi më të mirë dhe më të fortë. Ashtu sikundër edhe për të marrë dëmshpërblimet përkatëse edhe për krerët e humbur. Do të kompensohen një për një”, tha Rama, shkruan A2.
“Shpreh sërish mirënjohje dhe respekt për të gjitha forcat e angazhuara në terren. Kanë qenë mbi 10 000 forca të të gjitha llojeve që kanë pasur pjesën e vet të frontit, por në radhë të parë shpreh falenderim për trupat zjarrfikëse, që meritojnë të gjithë admirimin”, shtoi Rama.
(A2 Televizion)