Në vijim të turit elektoral, kryeministri Edi Rama u ndal këtë pasdite në Dibër në një takim me gratë dhe vajzat e këtij qarku. Duke theksuar suksesin dhe rolin kyç të tyre në fitoren e Partisë Socialiste, kreu i qeverisë u shpreh se është rritur përqindja e grave dhe vajzave që mbështesin Partinë Socialiste dhe në rang kombëtar ka arritur në 56%.
“Në të gjithë Shqipërinë, PS e mbështesin 56% e grave dhe vajzave. Ka disa qarqe me 65%, Dibra llogaritet me 40% mbështetje nga gratë dhe vajzat. Nëse ne kemi shumicën e votuesve të parë, na mjafton vetëm gjysma e burrave, nuk na duhen më shumë, se kjo jetë na ka mësuar këtu se gjysma e burrave janë normalë, gjysma tjetër janë çyrykë. Kjo do na bëjë që më 11 maj jo në Dibër vetëm, por në të gjithë Shqipërinë të kemi fitoren më të madhe tonën, kjo është e 10-ta dhe fal kësaj e të gjtiha grave si ju këtu, të realizohet dhe të bëhet më e madhja nga të gjitha”.
Kryeministri Edi Rama nga Dibra theksoi rolin kyç të grave dhe vajzave në suksesin elektoral të Partisë Socialiste, duke e nisur zyrtarisht fushatën elektorale me një takim dedikuar atyre. Në fjalën e tij, Rama u shpreh se mbështetja e grave për PS-në ka arritur në 56% në rang kombëtar, ndërsa në disa qarqe shkon deri në 65%. Në Dibër, tha ai, kjo mbështetje kap rreth 40%, por me angazhimin e vazhdueshëm të strukturave, synohet një rritje e mëtejshme.
Kreu i qeverisë solli si shembull suksesin e dy grave që udhëheqin sot bashkitë e Bulqizës dhe Klosit, Festime Mjeshtri dhe Valbona Kola, duke nënvizuar sfidat e përzgjedhjes së kandidatëve në zona ku sipas tij, “një grusht burrash” pretendonin drejtimin politik. “Ja ku janë sot dy gra që e kanë transformuar perceptimin për drejtimin lokal”, tha Rama.
Ai nuk i kurseu batutat, duke i quajtur burrat “gjysma normalë, gjysma çyrykë”, ndërsa theksoi me ironi se nëse gratë do largoheshin për një muaj, “kur të ktheheshin, do i gjenin burrat me bisht”. Megjithatë, përtej humorit, mesazhi i tij ishte i qartë: PS synon të rrisë përfaqësimin e grave jo vetëm në anëtarësi, por edhe në drejtim politik.
“Kur nisëm, gratë përbënin 15%, sot janë 40%, dhe synimi ynë është 50 mijë e 1 anëtare”, deklaroi ai, duke e cilësuar këtë si “fitoren e dhjetë” që do të vijë falë grave socialiste. Në fund, Rama apeloi për vijimin e kësaj fryme të re dhe fuqizimin e rolit të gruas në politikë dhe qeverisje.
(A2 Televizion)