Raporti i KE, shpëton vetëm SPAK zgjedhjet me probleme, Kuvendi vendime shqetësuese për demokracinë

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2025, 17:18 | Politikë

Ndërsa Shqipëria pret që të mbyllë negociatat me BE brenda 2026, Brukseli me publikimin e progres raportit jep një situatë më të zymtë për anëtarësimin në BE. Komisioni Europian e kritikon së pari Shqipërinë për garantimin e barazisë në zgjedhje. Duke marrë “copy paste” gjetjet e ODIHR për zgjedhjet e 11 majit dhe duke ngritur shqetësimin se partia në pushtet ka abuzuar me administratën publike në shërbim të interesave partiake, Komisioni Europian i kërkon mazhorancës se duhet të ulet së bashku me opozitën për një reformë gjithpërfshirëse.

Zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 11 maj 2025 rezultuan me fitoren  mandatit të katërt radhazi për partinë në pushtet. Misioni i ODIHR vlerësoi se zgjedhjet ishin konkurruese dhe të administruara në mënyrë profesionale, por identifikoi disa mangësi, përfshirë mungesën e një fushe të barabartë loje dhe abuzimin me burimet publike. Reforma e pjesshme zgjedhore ndryshoi Kodin Zgjedhor, por dështoi të adresojë një numër rekomandimesh të kahershme nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias. Nevojitet një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse.

Brukseli kritikon Parlamentin se nuk arrin të ushtrojë kontroll ndaj ekzekutivit, ndërsa konflikti politik mes mazhorancës dhe opozitës ka çuar në vendime shqetësuese për demokracinë.

Polarizimi politik, mungesa e dialogut të vërtetë politik dhe përplasjet midis shumicës qeverisëse dhe pjesëve të opozitës vijuan të ndikojnë në veprimtarinë e Parlamentit, ndërsa proceset e konsultimit publik mbetën të kufizuara. Parlamenti pengohet gjithashtu nga mbikëqyrja e kufizuar ndaj ekzekutivit, ndërkohë që politizimi i emërimeve parlamentare në pozicionet e larta të organeve kushtetuese ose institucioneve të pavarura të krijuara me ligj mbetet një çështje serioze. 

Komisioni Europian është i shqetësuar për qeverinë Rama 4 për sa i përket ndërhyrjes së tij në largimet masive me apo pa dorëheqje të punonjësve nga të gjithë niveleve drejtuese në bashkitë e qeverisura nga e majta. Problematike mbetet edhe transparenca e ekzekutivit. 

Ndarja e përgjegjësive midis qeverisjes vendore dhe asaj qendrore vazhdon të jetë problematike. Valë dorëheqjesh dhe, në disa raste, shkarkimesh në administratat vendore, që ndodhën në korrik 2025 pas kërkesës publike të qeverisë qendrore për ndryshime në drejtimet bashkiake, ngre shqetësime, përfshirë edhe në dritën e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore.

Shqipëria ka hapur 5 nga 6 grupkapitujt për negociatat me BE, por nga kabineti i Edi Ramës kërkohet më shumë transparencës dhe bashkëpunim me të gjithë aktorët. Integrimi nuk mund të bëhet vetëm.

Vendosja e reformave për integrimin në qendër të planifikimit të saj legjislativ dhe politik, qeveria duhet të përmbahet nga retorika dhe masat që nuk janë në përputhje me standardet e BE-së. Procesi i integrimit në BE duhet të jetë më gjithëpërfshirës, ndërpartiak dhe i mbështetur nga mekanizma efektivë konsultimi. Përpjekjet për komunikim publik mbi integrimin europian duhet të intensifikohen.

Në progres raport shkruhet që administrata publike ka një nivel përgatitje të moderuar, ndërsa Komisioni mbetet i pakënaqur me implementim e rekomandimeve të vitit të shkuar. 

Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar u zbatuan pjesërisht. Gjatë vitit të ardhshëm, Shqipëria duhet në veçanti të nisë zbatimin e strategjisë së re për administratën publike. Të kufizojë përdorimin e akteve normative për rishikimet buxhetore dhe të rikthehet në procedurat e rregullta të rishikimit të buxhetit përmes Kuvendit. Të miratojë dhe zbatojë një kuadër të ri ligjor për shërbimin civil, i cili përfshin rregulla për promovimin dhe shkarkimin bazuar në meritë, në të gjitha nivelet, veçanërisht në nivelet e larta si dhe të nisë sërish automatizimin e sistemit të pagave. 

Për të disatin vit radhazi SPAK vijon të mbetet e vlerësuara pa kushte në raportet ndërkombëtare monitoruese. Ndërsa Gjykatat në Shqipëri, KE i sheh të “kërcënuara” nga ndërhyrja politike.

SPAK e ka konsoliduar më tej rezultatet e saj pozitive në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe ka bërë përparim të prekshëm drejt krijimit të një praktike të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, korrupsioni mbeti i përhapur gjerësisht në sektorë të cenueshëm, duke ndikuar si në sferën publike ashtu edhe në atë private. Por duhet të përfshijë sekuestrimin dhe konfiskimin përfundimtar të pasurive që rrjedhin nga veprat e lidhura me korrupsionin. Përpjekjete shtuar të zyrtarëve publikë ose politikanëve për të ushtruar ndikim apo presion të papërshtatshëm mbi sistemin gjyqësor mbeten një çështje shqetësuese serioze. 

Media është një tjetër faktor për të cilin BE kërkon të rregullohet me ligj për të garantuar pavarësinë, transparencën dhe sigurinë e gazetarëve ndaj presioneve politike. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos