Raporti pas 11 majit, Bylykbashi: Më i rëndi që ODIHR ka pasur për Shqipërinë

Nga A2 CNN
3 Tetor 2025, 21:50 | Politikë

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, i ftuar në studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN, theksoi se raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet ka qenë “më i rëndi që ka pasur për Shqipërinë”.

“Gjatë periudhës paszgjedhore i çuam provat ODIHR-it dhe presim që raporti t’i ketë reflektuar, ndërkohë që raporti paraprak, në eksperiencën time, është më i rëndi që ka Shqipëria”, tha Bylykbashi.

“Standardi i tyre është që raporti del brenda dy muajsh nga përfundimi i procesit. Dhe procesi ligjor ka zgjatur shumë më tepër, me ankimime... Rezultati është certifikuar në ditët e para të shtatorit. Që do të thotë se ODIHR-i do t’i pasqyrojë të gjitha aspektet që ka. Arsyeja që kanë marrë kaq kohë për raportin është kjo”, shtoi Bylykbashi.

Sipas tij, “Rama dhe ministri i Jashtëm kanë bërë presion të jashtëzakonshëm dhe të papranueshëm mbi ODIHR-in”.

“I faktuar edhe me prova: letra e ministrit Hasani, që ishte skandaloze. Qeveria e kuptoi që ai raport dhimbte. Ka vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat. Nga ana tjetër, ne kemi bërë të pamundurën dhe kemi dërguar prova, duke faktuar atë që ndodhi në 11 Maj. Bandat dhe shtetin bashkë. Jo më kot hapet që në fjalinë e parë që të ndahet shteti nga partia”, u shpreh Bylykbashi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos