Figurë jopolitike, apo brenda saj? Spahia: Nuk kemi problem me burimet njerëzore, çështja është a do të ketë zgjedhje të lira në Tiranë

Nga A2 CNN
3 Tetor 2025, 17:42 | Politikë

Figurë jopolitike, apo brenda saj? Spahia: Nuk kemi problem me burimet

Partia Demokratike nuk ka problem me burimet njerëzore, por për garën e Tiranës duhet një kandidat që të përfaqësojë në mënyrë dinjitoze qytetarët e saj. Kështu u shpreh në Ditarin e pasdites me Pandi Gjatën në A2 CNN, deputeti demokrat Bardh Spahia, i cili është i hapur për një kandidat nga jashtë politikës, por më mirë, sipas tij, do të ishte një kandidat brenda politikës që ka dhënë kontribut të denjë dhe angazhim publik. 

“Për PD nuk kanë qenë kurrë problem asetet apo burimet njerëzore. Çështja është te modeli që ka zgjedhur PD në konsultim me aleatët e opozitës që të vendosen disa kritere që duhet të plotësojë një kandidat që të jetë i përshtatshëm për garën e ardhshme. Ka qenë një proces interesant që synon përfaqësim dinjitoz të qytetarëve të Tiranës. Unë nuk jam për të zgjedhur medoemos një kandidat jashtë politikës, por nga ana tjetër nuk jam as për mbylljen brenda politikës. Prandaj i konsideroj të nevojshme dhe interesante edhe diskutimet me aleatët për të dëgjuar sugjerimet e tyre nësë do ketë sugjerime për kandidatë apo emra që plotësojnë kushtet për të përfaqësuar opozitën shqiptare në këto zgjedhje, pse jo. Nuk e kam atë parimin që duhet të jetë medoemos jashtë politikës. Përkundrazi po ta gjejmë brenda  politikës akoma më mirë. Janë pafund figura që kanë treguar në kontributin e tyre publik se janë të afta e të denja për të marrë mbi shpatulla një përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe si drejtimi i Bashkisë së Tiranës. Eksperienca politike e administrative do të ishte plus”.

Por çështja thelbësore sipas deputetit demokrat, nuk është emri i kandidatit të opozitës, por domosdoshmëria e një procesi zgjedhor të ndershëm. Ai akuzon kreun e qeverisë dhe e quan atë armik të zgjedhjeve të lira.

"Një partie të madhe opozitare i shkon të përfaqësohet përmes figurave të tyre dhe është gjëja më normale. Ne duhet ta orientojmë diskursin tonë te domosdoshmëria e një procesi zgjedhor të ndershëm ky është çelësi. Në Shqipëri ka vite dhe disa procese zgjedhore që ndoten me dashje nga imponimi e ndërhyrja e strukturave qeverisëse dhe grupeve kriminale. Ky është edhe thelbi i diskutimit jo emri i kandidatit të opozitës. Çështja thelbësore është a do ketë zgjedhje të lira në Tiranë apo jo. Rama është armik i përbetuar i zgjedhjeve të lira. Kjo më shqetëson. Unë e kam provuar në kurriz se çfarë do të thotë të vihet në lëvizje makineria shtetërore duke koordinuar edhe makinerinë e krimit e parave të pista e trafikut të drogës”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos