Deputeti i Partisë Socialiste, Klevis Jahaj, deklaroi se deri më tani nuk ka asnjë vendim për bashkimin e bashkive, në kuadër të reformës së re territoriale.
I ftuar në emisionin "Off the Record" në A2 CNN nga Andrea Danglli, Jahaj u pyet për shqetësimet e ngritura pas publikimit të raportit të ekspertëve, ku përmenden disa bashki që mund të preken nga reforma.
Deputeti socialist sqaroi se raporti i ekspertëve nuk përmban propozime përfundimtare për bashkime apo ndarje të bashkive, por është një dokument vlerësues mbi funksionimin e njësive të qeverisjes vendore.
"Nuk ka bashkime as të Mirditës, as të Devollit në këtë fazë. Raporti dhe puna e ekspertëve do të bëhen publike dhe aty paraqiten disa mundësi për mënyrën se si mund të organizohen njësitë e qeverisjes vendore.
Nuk ka vendime të marra për bashkime konkrete", u shpreh Jahaj.
Ai shtoi se raporti nuk duhet interpretuar si një vendim politik, pasi i takon institucioneve dhe politikës të marrin vendimet përfundimtare mbi reformën territoriale.
"Gazetarët kanë bërë interpretimin e tyre të raportit dhe është e drejta e tyre, por raporti nuk është i kufizuar vetëm te këto çështje dhe nuk përmban vendime për bashkimin e bashkive", deklaroi deputeti i PS. (A2 Televizion)