Pyetur nëse do të ketë shumë shpejt një reformë të re territoriale, kryeministri Edi Rama tha se ai është i mendimit që duhen më pak bashki, por kjo është në plan të dytë, për sa kohë synohet edhe dakordësia e palës tjetër.
“Më pak bashki, jo më shumë, por kjo kërkon konsensus me një pjesë të pakicës”, përfundoi Rama.
Ndërkohë, në mbledhjen e sotme, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku ua bëri të qartë kryebashkiakëve se duhet të kenë një performancë të mirë, në mënyrë që të përthithin fonde nga qeveria. Pyetur nga gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi, Mazniku zbuloi se si do të bëhet shpërndarja e granteve. Ai tha se në këtë drejtim, nuk ka ndarje mes bashkive të djathta ose të majta, por e gjitha do jetë transparente.
“Elementi i parë është popullsia dhe i dyti mundësia për t’i dhënë financime bashkive që kanë të ardhura më të dobëta. Propozimi është që 20% e grantit të fokusohet si një grant performance, te mënyra se si bashkitë ia dalin te mbledhja e të ardhurave të tyre. S’ka të bëjë me bashki e majtë dhe e djathtë, por mbi bazën e transparencës”, tha Mazniku.
(A2 Televizion)