Rrahja mes përfaqësuesve të popullit parashikohet të jetë në formën intelektuale të mendimeve, por këtë të enjte kuvendi u kthye në arenë ku deputetët u kapën me duar duke kaluar në dimensionin fizik për rrahjes, shkruan A2 CNN.
Opozita shkoi mbi 1 orë përpara nisjes zyrtare të seancës plenare, por u la jashtë dere nga Garda e Republikës, punonjësit e të cilës duket se kishin marrë urdhra të qartë: asnjë deputetë opozitar nuk duhet të hyjë në sallë, qoftë i përjashtuar apo jo. As ministrat nuk u kursyen.
Taktikat e gardës futën në grackë demokratët. Ata përdorën automjetin e Eilisa Spiropalit për të tërhequr vëmendjen e opozitarëve të cilët e rrethuan me qëllim ndalimin e kryeparlamentares për të hyrë në sallën e seancave plenare. Por Mercedezi i Spiropalit ishte një diversion, pasi ajo së bashku me socialistët e tjerë u futën nxitimthi nga dera e pasme.
Socialistët arritën të futeshin në sallë e të bënin kuorumin për të vijuar punimet ku Spiropali mori në mbrojtje gardën pavarësisht se jashtë salle kishin lënë të gjithë opozitën.
Teksa në sallën plenare socialistët flisnin me veten, demokratët vijuan me zjarrin, shkruan A2 CNN. Katër manekinë të veshur me uniforma burgu dhe ku të ngjitur kishin fotografitë e Edi dhe Olsi Ramës, Fatmir dhe Agron Xhafajt u dogjën në oborrin e parlamentit.
Me daljen e hirit, përfundoi edhe aksioni i kësaj seance, duke lënë surprizë vijimin e saj. “Do bëjmë si të na teket”, tha kreu u grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.
Teksa demokratët largoheshin, socialistët dolën nga salla pasi seanca përfundoi në pak minuta. Në emër të socialistëve doli Taulant Balla i cili është i bindjes se sherri në Kuvend bëhet për arsye të tjera. “Kush mendon që kjo sjellje ka të bëjë me një vendim gjykate, e ka gabim”, tha ai.
Me mbarimin e seancës Spiropali nuk shkoi në zyrën e saj, por te Bajram Begaj, ku burimet jo zyrtare njoftojnë se fokusi i bisedës ishte kriza politike që ka përfshirë parlamentin. (A2 Televizion)