Rrogat e prokurorëve dhe gjyqtarëve, Boçi: Lojë ndërmjet Ramës dhe drejtësisë

Nga A2 CNN
7 Shtator 2026, 13:48 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, komentoi situatën e krijuar me pagat e gjyqtarëve, ku kryeministri Edi Rama ka theksuar se “KLGJ dhe KLP nuk mund të vetëpërcaktojnë se si do të paguhen”.

Sipas Boçit, “Partia Demokratike qëndron larg lojës mes Ramës dhe drejtësisë”.

“Është një lojë që i ofron spektakël publikut. Nuk ka rëndësi se sa e kërkojnë rritjen. Edhe 10% është shumë sepse ajo që kërkohet shihet në raport me rezultatin. Unë si qytetar pyes: kjo drejtësia e famshme, sa lekë ka sekuestruar për të zmadhuar buxhetin që dashka rritje? Çfarë ka bërë drejtësia? A ia ka kaluar milionat e sekuestruara arkës së shtetit? Por, duke bërë marrëveshje politike, duke nxjerrë të korruptuarit nga burgu… Kjo është drejtësia jonë e famshme?”, tha Boçi në studion e “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2CNN.

Boçi theksoi se Rama e ka nën kontroll drejtësinë: “Rama e tall drejtësinë, është pjesë e marrëveshjes së heshtur. Ai i ka vënë, ai i tall, ai i ka kërcënuar më parë. Është mashtrim që kryeministri “përplaset” me drejtësinë. Rastet e fundit të trajtimit të dosjeve dhe arrestimeve të programuara në detaje, tregojnë qartazi që drejtësia ka një komandë të fortë politike dhe brenda kësaj komande ndërton edhe një “konfliktualitet”. Në fund, asgjë nuk do të ndodhë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos