Përgatitja e procesit elektoral për parlamentaret e 11 majit është futur në fazën finale, por numri i zgjedhësve mbetet enigmatik. Kjo pasi shifra e publikuar nga Ministria e Brendshme nuk përputhet me numrin e zgjedhësve të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duke lënë pa përgjigje pyetjen, sa është numri i saktë i shqiptarëve që votojnë në 11 maj?
Numri i saktë i shqiptarë që votojnë në 11 maj do të duhej të ishte një formalitet, por dy institucionet e përfshira në këtë proces nuk gjejnë sinkronizim në shifra.
Ministria e Brendshme në datën 2 prill publikoi ekstraktin final të zgjedhësve në Shqipëri duke njoftuar se në parlamentare te 11 majit janë të ftuar të marrin pjesë 3,713,761 votues, brenda dhe jashtë vendit.
Dy ditë më vonë, në datën 4 prill, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në aktin e miratimit të fletëve të votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit njoftoi se numri i zgjedhësve brenda vendit është 3,467,962. Ndërsa Komisioneri Shtetëror Celibashi, dha me zë e figurë numrin e votuesve të regjistruar nga jashtë.
Nëse mblidhen votuesit brenda vendit dhe ata të regjistruar si zgjedhës nga jashtë, bazuar në të dhënat e KQZ, del një total prej 3.713.897 zgjedhësish, ose 136 votues më shumë se totali i publikuar nga Ministria e Brendshme.
A2 CNN kërkoi të mësonte më shumë mbi këtë mospërputhje shifrash, e cila ndonëse mund të duket modeste në numër, paraqet një problematikë thelbësore në hartimin e listës së votuesve për parlamentare e 11 majit.
Përgjigjja jo zyrtare e KQZ ishte se bëhej fjalë për një gabim në kalkulimet e Ministrisë së Brendshme. Kjo e fundit, e kontaktuar nga A2CNN, nuk dha një përgjigje deri në momentin e publikimit të kronikës. (A2 Televizion)