Votimi nga jashtë, KQZ mbush zarfet, gati dërgimi i fletëve në diasporë

Nga Ervin Koçi
10 Prill 2025, 14:55 | Politikë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë në dorëzim fletët e votimit për votuesit nga jashtë vendit dhe ka nisur paketimin e tyre. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi se procesi po vijon normalisht. Ai bëri një thirrje për votuesit në diasporë: të mos vonojnë ridërgimin e fletës së votimit.

Administrata e KQZ-së është kthyer në një qendër të shpërndarjes, duke paketuar një nga një fletët e votimit në zarfe që do të dërgohen me postë në adresat e deklaruara të shqiptarëve të regjistruar si votues nga jashtë, shkruan A2 CNN.

“Pasi fleta e votimit të jetë plotësuar me zgjedhjen e qytetarit, ajo duhet kthyer më pas në Shqipëri përmes zarfit që gjendet në pakon e dërguar nga KQZ”, tha Komisioneri Shtetëror. Për këtë proces, Celibashi tha se ka marrë garancitë e duhura nga operatori ndërkombëtar postar dhe i bëri apel zgjedhësve që ta kryejnë sa më shpejt procedurën, në mënyrë që vota të mbërrijë në kohë në Tiranë. Celibashi shtoi: “Plotëso fletën e votimit, merr postierin në telefon dhe ai vjen ta marrë në shtëpi”.

Si votues nga jashtë janë regjistruar mbi 245 mijë shqiptarë. Përgatitja e zarfeve ka tërhequr vëmendjen e partive politike, të cilat deri tani duken të qeta për procesin.

Rëndësia e këtij momenti u evidentua edhe nga ndërkombëtarët, ku vëzhguesit e OSBE-ODIHR zunë vendet e tyre për të monitoruar të gjithë procesin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos