Shoqëruar nga mbështetësit, Sali Berisha vijoi traditën e paraqitjes në SPAK për të respektuar masën e sigurisë vendosur ndaj tij për çështjen “Partizani”. Vizita edhe këtë herë ishte e shkurtër, një firmë dhe një mesazh për Altin Dumanin, të cilin e lëshoi para mediave.
“Amnistimi i krimit elektoral nga Dumani dhe Skapi i partisë është krimi antikushtetues dhe antidemokratik më i madh në historinë e pluralizmit politik. Është atentati më i rëndë ndaj zgjedhjeve të lira”, tha Sali Berisha, tha kryetar i Partisë Demokratike.
Sërish para dyerve të SPAK lexoi disa përgjime që sipas tij janë pjesë e një dosje ndaj ministrit Taulant Balla.
“Taulanti është një personazh unik. A e dini ju të nderuar gazetarë që ai është edhe hajdut xhepash në kuptimin që nuk ngurron t’u kërkojë mbushmani kartën e telefonit, hidh ca mbushje në kartën time të telefonit”, tha Berisha.
Në seancën pyetje-përgjigje me gazetarët, Berisha u ndal edhe te zgjedhjet e 11 majit, ku premtoi se ndryshimi do të nisë nga Durrësi dhe sipas tij kjo nuk është rastësi.
“Populli i Durrësit është i vendosur të mos ketë më asnjë ndikim nga banditët, nga trafikantët dhe nga qeveritarët, të cilët të turpëruar nga të gjitha anët, kanë zhdukur deputetët e mëparshëm…”
Lideri i opozitës do të kthehet sërish në dyert e SPAK pas dy javës, pasi gjykata i ka caktuar atij masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur” të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji. (A2 Televizion)