Prezenca e ODIHR që do të monitorojë zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri ka dalë me një raport të përkohshëm për ecurinë e fushatës zgjedhore dhe garës, duke iu referuar periudhës 1 deri në 21 prill.
Sipas ODIHR fushata që ka nisur më 11 prill ka qenë e qetë. “Personalizimi i retorikës, sulmet mes liderëve të partive kryesore dhe akuzat për korrupsion e lidhje me krimin e organizuar kanë dominuar debatin publik, sidomos në rrjetet sociale”, konstaton misioni i vëzhgimit.
Në raport bëhet me dije se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë 94 ankesa për shkelje të lidhura me fushatën, përfshirë përdorimin e aseteve publike dhe presionin ndaj nëpunësve civilë.
“Janë hapur hetime administrative për 70 raste, dhe në tre prej tyre janë propozuar gjoba. 96 monitorues janë angazhuar për të vëzhguar zbatimin e rregullave në 12 qarqe, duke raportuar mbi 1,160 raste që nga janari deri në prill. Ndër shqetësimet kryesore janë ndikimi i rrjeteve të ashtuquajtura "patronazhistë", presioni ndaj punonjësve të administratës publike dhe përdorimi politik i burimeve shtetërore. Edhe pse ligji ndalon përdorimin e institucioneve publike për qëllime elektorale, praktika të tilla vazhdojnë të raportohen”, konstaton ODIHR.
Ndërkohë, mungesa e një kuadri ligjor për fushatat në rrjetet sociale ka nxitur partitë të nënshkruajnë një Kod Vullnetar Etik për Fushatat Digjitale, që synon shmangien e gjuhës së urrejtjes, dezinformimit dhe mungesës së transparencës. Sakaq, KQZ po monitoron aktivitetin online të 50 institucioneve publike.
Duke qenë se këto do të jenë zgjedhjet e para në historinë e Shqipërisë ku do të votojë edhe Diaspora, sipas ODIHR çështjet që kanë dominuar diskursin publik janë integrimi në BE, ekonomia dhe lufta kundër korrupsionit.
“Si PS ashtu edhe PD kanë premtuar rritje të pensioneve dhe pagës minimale, ndërsa partitë më të vogla janë përqendruar në reforma kundër korrupsionit dhe shërbime sociale. Sfondi politik i fushatës është i trazuar. Arrestimi i ish-Presidentit Ilir Meta dhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, kanë nxitur protesta dhe tensione politike. Arrestimet janë konsideruar nga opozita si të motivuara politikisht”, nënvizon raporti.
ODIHR në fund thekson se “në përgjithësi, zgjedhjet e 11 majit po zhvillohen në një kontekst të tensionuar politik, të karakterizuar nga kriza besimi, hetime të profilit të lartë për korrupsion, ndarje brenda partive dhe përpjekje për të ruajtur standardet demokratike në një klimë sfiduese”. (A2 Televizion)