Nga Fieri kryeministri Edi Rama deklaroi sot se falë projekteve për diversifikimin e burimeve të energjisë, Shqipëria brenda kësaj dekade do të jetë energjetikisht e pavarur nga çdo zhvillim i jashtëm dhe një vend eksportues neto i energjisë.
“Brenda kësaj dekade Shqipëria do të jetë energjetikisht e pavarur nga çdo zhvillim i jashtëm. Shqipëria do ta vendosë vetë fatin e vet në raport me energjinë dhe do të kalojë në eksport neto. Nuk është vetëm prodhimi, por edhe transmetimi që ka njohur një progres të rëndësishëm, ashtu sikundër edhe shtrirja e gjithë rrjetit të transmetimit të Shqipërisë në të gjitha drejtimet e mundshme ku qershia mbi tortë është marrëveshja me Italinë për linjën e interkonjeksionit me anën tjetër të Europës, falë bashkëpunimit tripalësh me qeverinë italiane dhe qeverinë e Emirateve të Bashkuara”.
Kryeministri shprehu sërish ambicien që deri në 2030 Shqipëria do të eksportojë energji, ndërsa ju kërkoi kompanive që të investojnë tek burimet njerëzore.
“Të përpunojmë dhe eksportojmë produkte të përpunuara dhe krijuar më shumë vlerë të shtuar. Kjo vlen për mineralet, për hidrokarburet, naftën. Nuk ka të ardhme asnjë kompani nëse nuk ke njerëzit duhet të kuptoni që burimet njerëzore duhet ti paguani si në Europë, ndryshe nuk i ke dot”. (A2 Televizion)