Shkarkimi i zv.ministrit, Rama sulmon opozitën: Bisht cigareje i mbetur në taketuken e jetës demokratike

Nga A2 CNN
24 Shtator 2025, 18:23 | Politikë

Në një takim me deputetët e Tiranës dhe me ministrat, kryeministri Edi Rama ka komentuar edhe shkarkimin që ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, i bëri zëvendësit të saj pasi tymosi cigare në një ambient të mbyllur.

Rama sulmoi opozitën për reagimin e saj për këtë shkarkim, duke thënë se në vend që ta përshëndeste këtë veprim, bëri të kundërtën. Kryeministri e krahasoi opozitën më tej me, “një bisht cigareje të mbetur në taketuken e jetës demokratike”, shkruan A2 CNN.

“Llomotitje e madhe nga ata që iu ka rënë Diella në kokë dhe duhet të presim gjatë derisa ta marrin veten, por kur të marrin veten do të duhet të përballojnë fëmijët e Diellës, të cilët e përgojuan me shpotinë karakteristike të delirantit provincial shkarkimin që ministrja e Brendshme i bëri zëvendësit për tymosjen e cigares në një lokal të mbyllur. Të mos e përshëndesësh këtë akt dhe të mos kërkosh që ky akt të jetë norma, parimi i palëkundur i atyre që qeverisin, por të bësh hajgare me të do të thotë të jesh një bisht cigareje i mbetur në taketuken e jetës demokratike ku askush nuk ka ndërmend ta ndezë më dhe askujt nuk i shkon në mendje se duhet çuar në riciklim sepse është një cigare e pariciklueshme”, tha Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos