Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, pretendon se gjatë procesit të rinumërimin po i hiqen padrejtësisht votat që ka marrë në zgjedhjet e 11 majit.
“Hajde shiheni si e ka shprehur vullnetin qytetari, me të padrejtë më heq votat. Mi heq votat nga 4-5 çdo sekondë. Turp të keni! Do t’i marr të gjitha pikat një për një, do të çoj në SPAK çdo votë që ma keni hequr mua. Turp të kesh Ilir, turp! Shumë keq!”, tha Dogjani, shkruan A2 CNN.
Sipas tij, edhe kur shenja në fletë është vendosur përbri emrit të tij, ajo po quhet e pavlefshme. “Nuk kërkoj asnjë benefit, të jesh i drejt. Shikoni në sistem si i kanë marrë. Edhe kur janë votat përbri kandidatit, i heqin këta si të pavlefshme. Sepse kanë marrë orientim që ta bëjmë sikur ka qenë njëlloj, sepse u kemi prishur terezinë. Kanë dashur të shkojnë me pushime dhe iu është prishur terezia. Njerëzit vuajnë dhe këta kanë hallin të shkojnë me pushime. Ky Rusmali me disa të tjerë. Shiheni në sistem se sa vota po më marrin. U garantoj që do t’i çoj të gjitha palët në SPAK dhe Kolegj (Zgjedhor). Kemi kërkuar rinumërimin, por edhe Ilir Alimehmetit dhe Joridës (Tabakut) dhe të gjithëve të PD-së po ua tjetërsojnë votën, po ia quajnë të pavlefshme. Ndërsa të tjerëve, jo! Me 11 standarde”.
Në zgjedhjet e 11 majit, Dogjani mori 6696 vota, por nuk arriti të futet në Kuvend. (A2 Televizion)