
Faktori shqiptar luan një rol kyç në shteformimin, stabilitetin politik dhe avancimin euroatlantik në Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kështu u shpreh presidenti Bajrma Begaj gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologen maqedonase, Siljanovska-Davkova. Sipas tij përdorimi i gjuhës shqipe dhe përfaqësimi i drejtë nuk janë vetëm çështje teknike, por janë thelbësore për kohezionin social, për stabilitetin institucional dhe për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, shkruan A2 CNN.
“Shqiptarët këtu janë shtetformues dhe kontribuues, janë bashkëpunues, konstruktiv dhe demokratik. Faktori shqiptarë dhe shqiptarët kanë qenë dhe mbeten kyç për stabilitetin politikë në qeverisje dhe në avancimin euroatlantik të RMV-së. Shqiptarët në RMV dhe maqedonasit në Shqipëri mbeten një urë e fortë e miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve tona. Shqipëria e vlerëson arritje historik, Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, dhe ne e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë përpjekjet për ndërtimin e një shoqërie funksionale multi-etnike përmes zbatimit të plotë të kësaj marrëveshje dhe respektimit të detyrimeve që rrjedhin prej saj. Ne besojmë se përfaqësimi i drejtë dhe dinjitoz e adekuat i shqiptarëve në institucionet shtetërore, zbatimi i plotë i ligjit të gjuhës, me përdorimin e gjuhës shqipe i cili ka lidhje me identitetin kombëtar shqiptar dhe ruajtja e funksionimi i mekanizmave të barazisë nuk janë vetëm thjeshtë çështje teknike ata janë element thelbësor për kohezionin social, për stabilitetin institucional dhe për perspektivën evropiane”, tha Begaj.
Begaj u ndal edhe në rolin e Korridorit 8, për të cilin theksoi se është simbol i kësaj epoke të re bashkëpunimi.
“Vendi juaj konsiderohet partner i rëndësishëm ekonomik, veçanërisht në fushën e turizmit dhe të transportit. Mendoj që përmes zbatimit të projekteve të nënshkruara më parë kemi realizuar rezultate konkrete përfshi dhe lehtësimin e lëvizjes në vendkalimet kufitare. Ne duhet ta thellojmë më tepër bashkëpunimin politik, ekonomikë dhe shoqërori dhe të krijojmë sinergji të reja në energjinë e gjelbër, ekonominë digjitale. Korridori 8 është simbol i kësaj epoke të re bashkëpunimi, ky është korridor është energjetik, hekurudhor dhe rrugor, dhe mbi të gjitha korridor i sigurisë evropiane që lidhë Mesdheun me Detin e Zi duke i vendosur dy vendet tona në zemrën e këtij aksi strategjik”, tha Begaj.
(A2 Televizion)