
Nga siguria ushqimore ende në pikëpyetje e mbetjet që nuk mirë-menaxhohen, te fondet IPARD për bujqësinë që nuk do të zhbllokohen edhe për ca kohë, bashkë me emigrimin e të rinjve që vijon dhe rrezikun e pastrimit të parave me anë të kripto-monedhave që shtohet.
Është kjo fotografia bardh e zi në disa drejtime që Komisioni Evropian i bën Shqipërisë në raportin e progresit për vitin 2025. Shqipëria nuk e ka fituar ende besimin e Bashkimit Evropian, madje në disa drejtime vendi madje nuk merr dot as një notë kaluese.
“Shqipëria ka një nivel të caktuar përgatitjeje në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe politikës fito-sanitare. Gjatë periudhës së raportimit është bërë progres i kufizuar. Janë miratuar ligjet për Shëndetin e Kafshëve dhe Shëndetin e Bimëve”.
Siguria ushqimore është testi i radhës që Shqipëria duhet të kalojë. Kjo si përpjekje për të fituar besimin e konsumatorëve e njëherazi për të marrë aprovimin e institucioneve të Bashkimit Europian.
“Shqipëria ka një nivel të pjesshëm përgatitjeje në fushën e mjedisit dhe klimës dhe nuk ka bërë përparim të dukshëm gjatë periudhës raportuese. Vendi ende nuk ka miratuar ligjet e reja mbi menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesve elemente thelbësore të përafrimit me legjislacionin e BE”.
Komisioni Evropian përcjell lajme të këqija veçanërisht për bujqit dhe fermerët shqiptarë. Qeveria ende nuk bind ndaj fondet IPARD do të vijojnë të mbesin të ngrira.
“Në lidhje me zhvillimin rural, është e nevojshme të rritet kapaciteti dhe mbikëqyrja për të nisur dorëzimin dhe zbatimin efikas të IPARD III, në përputhje të plotë me parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar. Gjatë periudhës së raportimit nuk është bërë përparim në përputhjen e legjislacionit mbi politikën e cilësisë me acquis-in e BE-së”.
Shkollohen, arsimohen dhe kur duhet të kontribuojnë në ekonominë e vendit, zgjedhin të largohen. Çdo shqiptarë i aftë për punë që ikën, i kushton Shqipërisë 14 mijë euro. Komisioni Evropian tregon edhe shkaktarët e kësaj situate.
“Punësimi informal mbetet një problem, me shumë punëtorë që nuk kanë kontrata formale, sigurime shoqërore dhe mbrojtje ligjore, ndërsa nën-raportimi i pagave është i përhapur, duke dëmtuar pensionet. Emigracioni, veçanërisht i punëtorëve të kualifikuar, përkeqëson mungesën e fuqisë punëtore në sektorët kyç, duke kontribuar në një ikje të trurit".
Ndërkohë Shqipëria rrezikohet nga pastrimi i parave me anë të kriptomonedhave.
“Teknikat e hetimit financiar duhet të përmirësohen, duke përfshirë identifikimin, analizën dhe ruajtjen e provave digjitale për kriptovaluta dhe asete virtuale. Duhet të sigurohet përdorimi sistematik i hetimeve financiare paralelisht me rastet e krimit të organizuar dhe të rëndë dhe pastrimit të parave”.
Në progres raportin e Komisionit Evropian, Shqipëria merr notë kaluese me kritika edhe në drejtim të klimës së biznesit, menaxhimit buxhetor dhe politikave fiskale. (A2 Televizion)
