Ekspertja Nirvana Deliu është shprehur se në ligjin për barazinë gjinore që u miratua në Kuvend, nuk është e qartë sesa gjini do ketë në Shqipëri.
Komentet Deliu i bëri në emisionin ‘ÇdoKënd’ me gazetaren Merita Haklaj në A2 CNN, ku tha se kjo do të varet nga mënyra sesi do të interpretohet ligji në vijim.
Deliu shtoi gjithashtu se projektligji ka qenë i publikuar online në faqen e konsultimeve publike dhe sipas saj, jo vetëm ekspertët, por edhe qytetarët e thjeshtë mund të jepnin një koment për të.
“Projektligji ka qenë i publikuar në faqen online të konsultimeve publike, një faqe online, ku secili nga ne, jo vetëm ekspertët dhe profesionistët ligjorë, kanë të drejtë të japin komentet e tyre, por edhe një qytetar i thjeshtë që dëshiron të japë një koment për projektligjit, është i lirë ta bëjë këtë. Ligji në fund të ditës mbetet interpretim.
Kur vjen puna për gjinitë, te gjinitë burrë dhe grua, gjinia grua kombinohet edhe me vajzë. Nga ana tjetër nuk ka një përkatësi të qartë sesa gjini kemi. Unë e lexova si draftligjin e dhënë nga ministria, edhe atë që ishte në platformën e konsultimeve të Kuvendit dhe nuk hasa sa gjini do kemi, që të ishte e përcaktuar aty”, tha mes të tjerash Deliu. (A2 Televizion)
