Demokratët shenjëstrojnë Taulant Ballën, PS kërkon përjashtimin e Berishës për 2 muaj

Nga Ervin Koçi
7 Nëntor 2025, 14:58 | Politikë

Demokratë e socialistë nisën një betejë me kërkesa për përjashtime në Kuvendin e Shqipërisë. Objektiv i maxhorancës është Sali Berisha, i cili për ta duhet të përjashtohet deri në dy muaj për shkak se ofendoi Ambasadorin e BE-së për orientimin e tij seksual, ndërsa për opozitës Taulant Balla për gjuhë fyese ndaj demokratëve në parlament.

“Ambasadori të BE-së i them kaq, zotëri ne absolutisht respektojmë orientimin seksual të gjithsecilit, por përpjekjet tuaja për t’i imponuar shoqërisë shqiptare standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore, të gjinisë në diversitet të gjerë, përveç asaj binare dhe i them këtu, edhe në statusin tënd ti je binar.”

Kjo deklaratë e Sali Berishës në oborrin e parlamentit është arsye e mjaftueshme për socialistët që kryedemokrati të përjashtohet nga punimet e kuvendit deri në dy muaj.

Firmat e hedhura në letër argumentohen me fjalët se gjuha e Sali Berishës jo vetëm ka dëmtuar imazhin e kuvendit, porse ka thyer rëndë kodin e sjellës në Parlament. 

Edhe demokratët nga ana e tyre nuk qëndruan pasiv përpara akteve të socialistëve duke hedhur në letër kërkesën për përjashtimin e Taulant Ballës. Fjalët e Ballës drejtuar disa demokratëve u konsideruan fyerje dhe shkresa kërkon përjashtimin e tij deri në 10 ditë.

Vendimet për përjashtim do të shqyrtohet nga sekretariati i etikës, i cili në shumicë votash përbëhet nga PS, dhe në dy mbledhjet e fundit, nuk kanë treguar mirëkuptim duke përjashtuar dy herë Gazment Bardhin nga punimet e Kuvendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos