Një ditë pasi shumica socialiste miratoi ligjin “Për barazinë gjinore”, demokratët deklarojnë se do të vijojnë kundërshtimet. Sali Berisha, nga selia blu, paralajmëroi betejë kushtetuese, ku premtoi edhe një referendum për këtë ligj.
“PD nuk pajtohet me këtë ligj. Ajo do të ndërmarrë të gjitha hapat kushtetues, do të rikonsiderojë referendumin dhe çdo gjë të mundshme dhe të nevojshme për anulimin e këtij ligji, i cili në fakt përmbys rendin juridik të shtetit shqiptar, pasi rrëzon të paktën katër nene të Kushtetutës. Pasi rrëzon Kodin e Familjes. Rrëzon Kodin Civil. Kodet, pra, të cilat përbëjnë bazën juridike të shtetit”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
Votimi pa debate i këtij ligji, por edhe zhvillimi i seancave jo normale për demokratët, konsiderohet si një ngushtim i hapësirave të tyre në Kuvend. Për këtë arsye, Berisha premton se shumë shpejt do të hapin platformën parlamentare në trotuarin para Kryeministrisë, ku çdo zë opozitar mund të shpalosë idetë e tij me zë dhe figurë përpara zyrës së Edi Ramës. “Kjo nuk do të thotë bojkot i parlamentit, jo. Por kjo do të thotë se opozita do të zhvillojë betejë edhe brenda parlamentit”, tha kreu i PD.
Dhe kjo platformë pritet të shoqërohet edhe me protesta. “Protestat kombëtare janë tejet të vonuara dhe së shpejti do të komunikojmë para jush protestën e parë kombëtare dhe pastaj në vazhdim, ku ftojmë të gjithë ata qytetarë që janë të gatshëm të luftojnë për votën e lirë kundër një regjimi që e ka konfiskuar atë, e ka vjedhur atë”.
Lidhur me skepticizmin që ekziston mbi PD-në dhe kryetarin e saj për të mbajtur ndezur shpirtin e protestës dhe për të mbledhur njerëz në shesh, Berisha u shpreh i sigurt se qytetarët janë gati për të reaguar. “Unë kam bindjen se ata qindra e mijëra shqiptarë që votuan në kushtet më të vështira kundër kësaj qeverie, do të vazhdojnë misionin e tyre për përmbysjen e saj dhe rikthimin e të drejtës së votës së lirë”. (A2 Televizion)
