
Kryeministri Edi Rama mbajti nga Talini një deklaratë të përbashkët për mediat me homologun estonez Kristen Michal. Rama e konsideroi Estoninë një shtet model për Shqipërinë sa i takon përparimit teknologjik dhe inovacionit, duke ftuar novatorët e këtij vendi që të hedhin sytë nga Shqipëria.
Kreu i qeverisë tha se në Shqipëri ata do të gjejnë jo vetëm diell, por edhe do të ndihen si në shtëpi, pasi në vendin tonë nuk ka simpati për Vladimir Putinin, shkruan A2CNN.
“Këtë qytet e kam imagjinuar gjithmonë si një laborator të së ardhmes, që shkruhet dita-ditës dhe ky qytet është i mrekullueshëm edhe falë asaj që është ndërtuar në të shkuarën. Por dua thjesht t’u them qytetarëve estonezë, që kemi admirim të plotë për ta, sepse në vend që të vazhdojnë të jetojnë në një muze, ata kanë vendosur të jetojnë në të ardhmen. Kjo e bën Estoninë atë qytetin që shkëlqen në majë të kodrës, sidomos për një vend si Shqipëria, pasi jemi të vegjël, dhe kemi nevojë për shembuj të tillë. Me ju jo vetëm që kërkojmë bashkëpunim, por kërkojmë atë udhërrëfyes estonez, dhe jam shumë mirënjohës që na thatë se jeni gati të prisni njerëzit tanë, të vijnë më shpesh, të mësojnë prej jush, sidomos në nivelin e sektorit arsimor, duke nisur me fëmijët, për t’u dhënë instrumentet që ta çojnë vendin në një tjetër nivel", u shpreh kryeministri.
"Është afërmendsh që ne duam të sigurohemi, që edhe rrugëtimi ynë drejt 2030 të shtrohet me të njëjtin inovacion që e ka bërë Estoninë, markë globale. Kemi 95 për qind të shërbimeve tona online, dhe duam të vijojmë përpara me AI-në. Shqipëria dhe Estonia janë shumë të bashkuara, jo vetëm nga NATO, por edhe refuzimi për të lejuar fuqitë e huaja që të minojnë demokracitë tona. Lidhjet tona ekonomike po rriten. Ju përmendet fluturimin e drejtpërdrejtë. Është kënaqësi të shohësh trefishimin estonezëve që vijnë qysh prej 2023, që gjejnë diell. Nuk kemi simpati për Putinin atje, kështu që do të ndiheni si në shtëpi. Duam të shohim novatorët teknologjik estonez, që të hedhin sytë nga Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit në Shqipëri”, tha Rama. (A2 Televizion)