Shfaqjet në rrjetet sociale dhe fitorja e mandatit të deputetes më 11 maj janë të pamjaftueshme që Zëgjine Çaushi të jetë në ekipin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Ajo, së bashku me 38 shokë dhe shoqe të saj socialiste, të cilët nuk kanë mbajtur asnjë post politik më parë, përpara se të ulen në karriget e Parlamentit, do të rikthehen në bankat e klasës për t’u përgatitur politikisht, në përballje me komunikimin publik, kundërshtarin politik dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët.
Deputetët e rinj të mazhorancës do të duhet të shtyjnë pushimet, pasi fillimisht do të marrin pjesë në një shkollë verore që do të zgjasë një muaj, nga data 20 qershor deri më 20 korrik. A2 CNN ka mësuar se lektorët e Akademisë Politike do të jenë drejtuesit më të lartë të qeverisë, partisë dhe Kuvendit: Kryeministri Rama, Kryetarja e Kuvendit Spiropali, nënkryetari i Kuvendit Çuçi, Ministrat Balla dhe Pirdeni, Kryetarët e komisionit antikorrupsion dhe kundër dezinformimit, Xhafaj dhe Braçe, si dhe deputetë të tjerë.
Lektorët dhe klasat do të ndahen në lëndë të ndryshme, të strukturuara si module që përfshijnë: sjelljen e deputetit, funksionimin e Parlamentit, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe vizionin e PS për vitin 2030.
Ceremonia e çeljes së Akademisë do të mbahet në orën 17:00, të enjten më 19 qershor, ndërsa në përfundim të shkollës do të ndahen edhe fletët e lavdërimit për 39 pjesëmarrësit. (A2 Televizion)