I ftuar në emisionin “Çdo kënd me Merita Haklaj” në A2 CNN, Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU-së, foli ndër të tjera edhe për çështjen çame, duke theksuar se disa kohë më parë kjo dosje u mor në dorë nga avokati Karim Khan që sot është Prokurori i Përgjithshëm i Hagës, por nuk shteti nuk e çoi përpara.
Tashmë, Shpëtim Idrizi tha në emisionin “Çdo kënd me Merita Haklaj” se për çështjen Çame kërkon përfaqësim në Gjykatën e Strasburgut nga Avokati i Shtetit.
“Ne kemi bërë një përpjekje shumë serioze vite më parë dhe ne e ezauruam vetë dhe jo me shtetin shqiptar, me avokatin Karim Khan që sot është Prokurori i Përgjithshëm i Hagës. Ne kemi punuar në këto nivele. Siç e keni parë, në Kongresin e PDIU-së, ai na dorëzoi të gjithë udhërrëfyesin dhe të gjitha mundësitë e zgjidhjes së çështjes shqiptare të Çamërisë, e cila ka shumë dimensione, që nga kërkimi i faljes publike, që nga e drejta për t’u rikthyer nëpër shtëpitë tona dhe pastaj e fundit janë këto pronësore. E keni parë kur na thotë ne Greqia, “të shkojnë në gjykatë këta”. E para, gjyshërit tanë, baba im nuk shkon dot në Greqi se e ndalojnë në kufij. Atëherë, ne e kërkuam dhe do ta kërkojmë sërish, kur të kemi një shtet serioz, që të ulet me të drejta, që kjo studio britanike me këtë prokurorin që sot është Prokurori i Përgjithshëm i Hagës, ka qenë edhe në Shqipëri, ishte pikërisht i ngarkuari për të gjetur rrugët e zgjidhjes së çështjes çame.
Ne kërkojmë që të përfaqësohemi, të paktën për çështjet pronësore, në Gjykatën e Strasburgut nga Avokati i Shtetit dhe nga një studio që e ka studiuar këtë gjë. Çfarë do të thotë ta studiosh dhe pse lidhet me Ligjin e Luftës. Që nga masakra që ka ndodhur në Çamëri, e cila ka filluar që në vitin 1923, 1944 është e fundit dhe sidomos ligji i luftës, kanë prodhuar një legjislacion prej 70 vjetësh. Legjislacioni për t’u marrë pronat çamëve është i vitit 2006. Ata kanë prodhuar vazhdimisht legjislacion. Heqja e ligjit të luftës e rivendos në afat të gjithë këtë. Ne nuk luftojmë për pronat, por për vendin dhe atdheun tonë”, tha Idrizi. (A2 Televizion)