Vota e diasporës, gazetari: Mund të ishte ndjekur modeli i Kosovës, PD të mos mbyllet në dhoma të fshehta

Nga A2 CNN
31 Janar 2025, 20:09 | Politikë

Gazetari dhe botuesi i Faktor.al Lavdrim Lita është shprehur se në Shqipëri mund të ndiqej modeli i Kosovës ose i shteteve të tjera, për të zbatuar votën e diasporës.

Komentet Lita i bëri në ‘Ditari’ me gazetaren Loneta Progni në A2 CNN, ku tha se PD duhet të kishte punuar për të përmirësuar kodin zgjedhor dhe jo të mbyllej dhomave të fshehta të Kuvendit për të bërë amendamente të kodit zgjedhor.

Ai tha gjithashtu se çështjet teknike që ka KQZ me votën e diasporës, po i komplikojnë vetë partitë politike, sepse duan të mbajnë kontrollin e procesit me çdo kusht.

“Është mirë që PD i ka këto dyshime për votën e diasporës. Duhet të kishte punuar me kohë për të përmirësuar kodin zgjedhor dhe jo të mbyllej nëpër prapaskena dhe në dhoma të fshehta të Kuvendit për të bërë amendime të kodit zgjedhor për të mbyllur listat dhe duke zbatuar një vendim të GJK për materializimin e votës së diasporës.

Çështjet teknike që ka KQZ me votën e diasporës, po i komplikojnë vetë partitë politike, sepse duan të mbajnë kontrollin e procesit me çdo kusht, kur ky proces mund të kishte marrë edhe modelet e Kosovës apo edhe të vendeve të tjera që lejojnë diasporën të votojë.

Pra fare mirë mund të ishte bërë votim elektronik, mund të bëhej pranë ambasadave, konsullatave apo qendrave që ata do të përcaktonin si KQZ, apo si shtet ku mund të votohej, po këtu mosbesimi është shumë i lartë dhe tani PD po kërkon edhe një gjë tjetër, që të votojnë shqiptarët që kanë dokumenta të BE apo SHBA dhe nuk kanë dokumenta shqiptare. Unë mendoj se partitë politike do i mbyllin këto punë në minutat e fundit”, tha Lita, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos