Ditëlindja e Partisë Demokratike u kremtua në dy festa të ndara. Lulzim Basha zgjodhi që të mblidhte mbështetësit e tij në Pallatin e Kongreseve, ku përveç bashkëpunëtorëve dhe mbështetësve, festës iu bashkua dhe Bamir Topi, një prej ish-zyrtarëve të lartë të kësaj force politike.
Nga ana tjetër, Berisha zgjodhi sallën e një hoteli për të festuar, ku përveç mbështetësve dhe aleatëve të Partisë Demokratike, në ceremoni nuk mungoi as e bija, Argita Malltezi. Kreu i Partisë Demokratike zyrtare zgjodhi që fjalimin ta mbante mes njerëzve e jo në podium si zakonisht. Teksa nderoi figurën e themeluesve të PD, theksoi se historia e partisë nuk mund të zhbëhet nga askush dhe për asnjë arsye.
“Asnjëherë nuk do të mund të bëjë pis ngjarjen historike të themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Askush dhe asnjëherë, nuk do të mund ta fshijë sakrificën e themeluesve të saj që nga Tirana e deri në skajin më të largët të Shqipërisë. Askush dhe asnjëherë, nuk do të mund ta përvetësojë historinë e saj”, tha Basha.
Edhe Berisha lartësoi figurën e themeluesve, duke i quajtur guximtarë që ndryshuan historinë. “Të dashur ish-studentë dhe studente të dhjetorit ’90, që me guximin tuaj, me vizionin tuaj ndatë histori dhe epoka. Vepra juaj është një nga aktet më madhore në historinë e lirisë së shqiptarëve. Është akti më madhor pas Pavarësisë së Shqipërisë”, tha Berisha.
Në këtë përvjetor, Basha zgjodhi të fliste dhe për ndarjen e partisë, ndërsa Berisha duke e konsideruar ngjarje të së shkuarës u shpreh kjo forcë politike është më e fortë se kurrë dhe gati për çdo betejë.
“E di që në këtë përvjetor një pjesë e jona sillet akoma rrugëve, e verbuar nga interesi personal e frikësuar nga gjykimi i historisë e trembur nga dora e drejtësisë! E di që sot shumë qytetarë pyesin: E kujt është partia demokratike? Partia Demokratike është partia e shoqërisë shqiptare”, tha Basha.
“Sot jemi 33-vjeçarë që të gjithë, jemi në moshën më të fuqishme të betejës pa kthim. Sot jemi 33 herë më të dijshëm, më vizionarë, më të vendosur, për të ecur të sigurt drejt fitores. Sot ne e duam Shqipërinë 33 herë më shumëse ç’e kemi dashur në vitin ‘90”, u shpreh Berisha.
Në këtë përvjetor nuk munguan as mesazhet për bashkim. “Shumë prej tyre, që ndoshta janë edhe në këtë sallë, me të drejtë janë ndjerë të nëpërkëmbur, janë ndier të ofenduar, janë ndier të tradhtuar në kauzat e tyre për të cilat kjo parti u formua. Në emrin tim, në emrin të gjithë anëtarëve të saj sot kam një thirrje për të gjithë ata që në këto 33 vite janë larguar nga Partia Demokratike. Për të gjitha ata kontributore themelues të saj dhe çdo person që të djathtën shqiptare e ndjen familjen e tij politike, që për arsye të ndryshme në këto vit nuk janë ndier në shtëpinë e tyre, bashkohuni me Partinë Demokratike të Shqipërisë”, tha Berisha.
Si Basha dhe Berisha u shprehën e janë shpresa e shqiptarëve dhe do të luftojnë për largimin e Edi Ramës nga pushteti. (A2 Televizion)