Në dokumentet e Strukturës së Posaçme të pak ditëve më parë, me anë të të cilave u kërkua arrest me burg për 14 persona në lidhje me dosjen e Inceneratorëve, mungojnë fakte dhe prova që implikojnë kryebashkiakun Erion Veliaj.
Kjo është akuza që ngriti mbrëmjen e së hënës në “Debat” nga Alba Alishani, Anëtari i Kryesisë së PD-së së Rithemelimit, Belind Këlliçi.
“Dhe në dokumentin që u çua në 7 dhjetor për Taulant Tushën dhe për 14 anëtarë të tjerë, të jenë zhdukur prova. Është hequr emri i kryetarit të Bashkisë.”
Sipas Këlliçit, në relacionin që u dërgua në Kuvend për të kërkuar aprovim për arrestimin e Arben Ahmetajt, në dokumente përmendej tre herë emri i kryebashkiakut Erion Veliaj. E megjithatë, duket se emri, firma dhe vula e tij, gjithnjë sipas Këlliçit, janë zhdukur.
Këlliçi madje u zotua se nëse nuk do të ketë reflektim në vijim, prokurorët e çështjes do të kallëzohen për shpërdorim detyre. Ndërsa, 15 masat e lëshuara nga SPAK për inceneratorin e Tiranës, Belind Këlliçi i cilësoi qesharake.
Kujtojmë se Gjykata e Posaçme la sot në fuqi masat e sigurisë për 14 nga 15 personat e hetuar nga SPAK në lidhje me inceneratorin e Tiranës për të cilat u mësuan mbrëmjen e së premtes, e ku përfshihen edhe zyrtarë e bashkëpunëtorë të Erjon Veliajt në Bashkinë e Tiranës dhe ish zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit.
Arrest në burg” u rikonfirmua për Lefter Kokën e Alqi Bllakon, të dënuar për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit. Po ashtu e njëjta masë u dha për Erjon Murataj, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Bledar Karoli, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, këta të dy të fundit në arrati që kur nisën arrestimet për inceneratorin e parë.
“Arrest në shtëpi” u dha për Pëllumb Abeshin, Etleva Kondin, Valbona Ballgjini, Alba Thoma, Sidita Koplikun dhe Silena Tolën.
I vetmi për të cilin është ndryshuar masa e sigurisë ka qenë ajo për Jetmir Llapajn, nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”. (A2 Televizion)