Çfarëdo mase sigurie që të vendosë gjykata ndaj tij, Sali Berisha do të vijojë që të jetë në krye të grupimit të tij dhe do të përmbushë detyrimet e tij.
Kjo ishte ajo që e bëri të qartë kreu i Rithemelimit në një bashkëbisedim me qytetarët këtë të hënë.
Berisha theksoi se Partia Demokratike do të ketë një drejtim të strukturuar edhe në mungesë të tij, por shtoi se çdo përpjekje e kundërshtarit të tij politik për ta privuar nga drejtimi i partisë do të dështojë.
“Unë do t’i përmbush të gjitha funksionet e mia. Edi Rama po e bën këtë se ka tmerr nga Sali Berisha. Unë ju garantoj që do të bëj që kjo përpjekje e tij të dështojë...Kryesia e ngushtë e PD është organi që do të merren me drejtin e punëve të saj.”
“Kudo që të jetë, kryetari do t’i përmbushë detyrimet e tij”, theksoi Sali Berisha.
Kujtojmë se SPAK do t'i komunikojë të martën Sali Berishës masën e sigurimit "arrest me burg" ose "arrest në shtëpi" pasi Parlamenti aprovoi seancën e së enjtes zhveshjen e ish-kryeministrit nga imuniteti që i siguron mandati i deputetit. (A2 Televizion)