Kjo përgjigje e kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që i referohet rezultatit të zgjedhjeve të 25 Prillit 2021 dhe jo aleancave faktive në Parlament, për ndarjen e mandateve mes partive politike ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e opozitës.
Bazuar në shkresën e Spiropalit që përcakton si parti opozitare PSD-në e Tom Doshit, Partia Demokratike e konsideron si një plan të parapërgatitur, cenim të së vërtetës dhe shkelje me të dyja këmbët e barazisë në zgjedhje.
“Qëllimi është për të grabitur një numërues të opozitës në zgjedhjet e ardhshme dhe për t’ja kaluar Doshit, i cili do të hiqet si e parti e opozitës, por do të militojë, numërojë e zhvasë për mazhorancën e NarkoRamës. Ky falsifikim bie ndesh me dhjetëra vendime të KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor, të cilët përcaktojnë se opozitë nuk të bën vetëdeklarimi, por mbështetja që i jep në Kuvend nismave të qeverisë”, tha Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso.
Kaso e konsideron shkelje të ligjit këtë akt të Spiropalit dhe përdhosje të rolit të kryetares së Kuvendit.
“Qytetarët e dinë se me kë është rreshtuar Tom Doshi që nga Tirana dhe deri në Shkodër, që nga 2011-a e deri në 2025-ën. Analistët mund të hapin dokumentacion online të KQZ dhe të shohin se, edhe në letra, aleanca Rama-Doshi është e fiksuar. Elisa e Çmendurirave i di të gjitha këto, por e bën për t’i hyrë në qejf shefit, për të cenuar zgjedhjet e 11 majit, dhe për të ndihmuar Partinë Socialiste me një patericë të radhës.”
Teksa e quan skandal shkëmbimin shkresor mes Kuvendit dhe KQZ, sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokratike paralajmëron Spiropalin me padi në SPAK për abuzim dhe shpërdorim me detyrën si dhe falsifikim. (A2 Televizion)